Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Supreme pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka rrëzuar të gjitha ankesat sa i përket shpalljes së rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e 9 shkurtit nga KQZ-ja, mes tyre edhe ankesën e kësaj partie për votat me postë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka thënë se PZAP, ka dështuar të merret me thelbin e ankesësë VV-së, duke i ikur kështu përgjegjësisë ligjore në trajtim të fakteve dhe provave të paraqitura nga Lëvizja VETËVENDOSJE.
Ai është shprehur se shpreson se Gjykata Supreme “nuk do të bie pre e papërgjegjësisë, joprofesionalizimit dhe ndikimit politik që PZAP ka pasur nga akterë politik dhe parapolitik”.
PZAP vendosi për legjitimim dhe legalizim të keqpërdorimeve të votave me postë, të orkestruar nga LDK dhe udhëheqja e saj. Shpresojmë se Gjykata Supreme nuk do të bie pre e papërgjegjësisë, joprofesionalizimit dhe ndikimit politik që PZAP ka pasur nga akterë politik dhe parapolitik.”, ka shkruar ai.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar si të pabazuara ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit nga votimi me postë i diasporës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
VV-ja kishte kërkuar anulimin e 18,933 votave votave me postë të LDK-së, dhe që votimi të përsëritet. duke pretenduar se votat janë manipuluar.
Në vendimin e publikuar më 19 mars, PZAP ka hedhur poshtë ankesën e VV-së.
Sipas PZAP-së, s’ka prova të mjaftueshme për të mbështetur pretendimet e LVV-së dhe për këtë arsye ka refuzuar ankesën.
“REFUZOHET si e pabazuar ankesa A.nr.641/2025 e datës 17.03.2025 e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me seli në Prishtinë, e parashtruar kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me seli në Prishtinë, Nr.01/727-2025, të datës 15 mars 2025, për shpalljen e rezultateve përfundimtare për Zgjedhjet e Përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të datës 09.02.2025, me të cilën ka kërkuar që të anulohen rezultatet e votimit me postë për subjektin politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe kandidatët e saj, gjithsej 18,933 vota dhe këto vota të largohen nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ta urdhëroj KQZ-në të të përsërisë votimin me postë në tërësi dhe të largojë nga lista e kandidatëve të LDK-së kandidatët e cekur me emër dhe mbiemër në arsyetimin e kësaj ankese, për shkak të manipulimit me votat e ardhura me postë dhe të mos e lejojë subjektin politik LDK t’i zëvendësojë kandidatët e larguar”, thuhet në vendimin e PZAP-së.