Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka publikuar një sërë rekomandimesh për besimtarët myslimanë, me qëllim ruajtjen e shëndetit gjatë muajit të Ramazanit. Sipas këtij institucioni, agjërimi sjell ndryshime të rëndësishme në stilin e jetesës, ushqyerje, ritmin e gjumit dhe aktivitetin fizik, ndaj kërkohet kujdes i veçantë.
IKSHPK thekson se gjatë Ramazanit është thelbësore të mbahet një dietë e balancuar dhe të sigurohet hidratim i mjaftueshëm. Rekomandohet konsumimi i ujit dhe ushqimeve të lëngshme si supat, gjellët dhe sallatat, ndërsa duhet shmangur pijet me kafeinë dhe ato të gazuara me përmbajtje të lartë sheqeri, për të parandaluar dehidratimin dhe marrjen e kalorive të tepërta.
Për vaktin e iftarit, këshillohet që agjërimi të prishet me hurma dhe ujë, duke vijuar me perime, drithëra integrale dhe proteina si mish pule, mish pa yndyrë apo peshk. Ushqimet e skuqura, të yndyrshme dhe të përpunuara duhet të kufizohen, ndërsa ngrënia e ngadaltë ndihmon në shmangien e tejngopjes.
Sa i përket syfyrit, Instituti rekomandon një vakt të lehtë me perime, bukë integrale, produkte bulmeti ose vezë, si dhe yndyra të shëndetshme si avokado. Duhet shmangur konsumimi i tepërt i ëmbëlsirave, kripës dhe brumërave me yndyrë, ndërsa për ëmbëlsirë sugjerohen fruta të freskëta sezonale. Syfyri nuk duhet anashkaluar apo zëvendësuar vetëm me ujë, pasi qëndrimi i gjatë pa ushqim mund të ulë nivelin e sheqerit në gjak, duke shkaktuar lodhje dhe ulje të produktivitetit.
Instituti rekomandon gjithashtu përdorimin e metodave më të shëndetshme të gatimit, si zierja në avull, pjekja apo gatimi me pak vaj, si dhe reduktimin e kripës në tryezë duke përdorur erëza për shije. Aktiviteti fizik i lehtë në mbrëmje, si ecja e rregullt, konsiderohet i dobishëm për kontrollin e peshës dhe ruajtjen e shëndetit.
Një theks i veçantë u vihet personave me sëmundje kronike. Sipas IKSHPK-së, personat me diabet, veçanërisht ata me diabet të tipit 1, rrezikojnë komplikime serioze si hipoglikemi, hiperglikemi, dehidratim dhe ketoacidozë diabetike, ndaj zakonisht këshillohen të mos agjërojnë. Ndërsa personat me diabet të tipit 2 apo me hipertension, nëse e kanë gjendjen nën kontroll përmes dietës apo medikamenteve, mund të konsiderojnë agjërimin, por vetëm pas konsultimit me profesionistë shëndetësorë.
Edhe për gratë shtatzëna apo ato që ushqejnë foshnjat me gji, vendimi për agjërim duhet të merret në mënyrë individuale dhe në konsultim me mjekun, duke vlerësuar me kujdes rreziqet e mundshme për nënën dhe fëmijën.
Instituti apelon për kujdes dhe përgjegjësi, duke theksuar se shëndeti duhet të mbetet prioritet gjatë gjithë muajit të Ramazanit.