PRIZRENI ME RAJON

Sot, Dita e Verëzave (Dita e Verës) në Zhur

Sot, Dita e Verëzave (Dita e Verës) në Zhur
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Mars 2026, 10:31

Është data 13 mars dhe, herët në mëngjes, vite më parë nënat zhurjane përgatisnin vezët e ziera, të cilat më vonë fëmijët dhe të rinjtë i ngjyrosnin dhe i zbukuronin në mënyra të ndryshme. Pastaj, pas orës 10 paradite, ata dilnin në zonat malore përreth Zhurit, ku mblidhnin lulen e parë që lulëzon në pranverën e hershme – luleborën, ashtu siç këndohet edhe në këngë.

Sigurisht, këtë ritual të rinjtë në të kaluarën e kanë shfrytëzuar edhe për të takuar të fejuarat e tyre ose për të bërë njohje të reja. Në mbrëmjen e datës 13 mars, në çdo lagje të fshatit, të rinjtë ndezin zjarre, duke bërë garë se cila lagje do ta ndezë zjarrin më të madh. Gjithashtu, gjatë kohës që zjarret janë të ndezura, u këndohet Verëzave, por nuk mungojnë as këngët kundër “rivalëve” të lagjeve të tjera.

Viteve të fundit kjo ditë e Verëzave nuk po manifestohet ashtu si dikur në Zhur, pasi kanë ndikuar si migrimi, ashtu edhe emancipimi i shoqërisë. Zhurjanët thonë se traditën do të vazhdojnë ta ruajnë me fanatizëm, sidomos atë të riteve, dokeve, zakoneve, si dhe festave të tjera.

Kjo përmbajtje ofrohet nga YouTube. Duke e ngarkuar, pranoni që YouTube të vendosë cookies.

Këto janë disa nga vargjet e këngëve që i kushtohen Ditës së Verës (Verëzave) në Zhur:

Ani mori Verëz moj e lumja Verëz
Ani dita e parë, o ani e pranverës o
Ani dita e parë, o ani e pranverës o
Ani voni pula, ani voni qura
Ani se po shkojnë o, o çucat për lula o
Ani se po shkojnë o, o çucat për lula o

Pra, në Kosovë Verëzat festohen më shumë në rrethinën e Prizrenit, ose më saktë në fshatin Zhur, si dhe në disa fshatra të Opojës, ndërsa në Shqipëri kjo festë është më e theksuar në qytetin e Elbasanit, si dhe në veriun e Shqipërisë…/tvprizreni.net/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika