LAJME

Në emër të kamatës tentuan t’ia merrnin pronat me vlerë rreth 1 mln euro, Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarve

Në emër të kamatës tentuan t’ia merrnin pronat me vlerë rreth 1 mln euro, Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarve
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Mars 2026, 17:15

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh ndaj të E.K. dhe A.K. nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Fajdeja”.

Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari E.K. nga viti 2021 e në vazhdimësi, ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit B.Ç. dhe i ka dhënë atij shuma të ndryshme parash, duke kontraktuar përfitime dukshëm joproporcionale.

Si rezultat i kësaj skeme të fajdesë, vetëm në emër të kamatave i dyshuari E.K. thuhet se i ka marrë viktimës B.Ç. mbi 400 mijë euro.

Sipas kërkesës, në pamundësi për ta përballuar dhe kthyer borxhin, ka hyrë viktima e dytë B.B. duke marrë para nga të dyshuarit për t’i ndihmuar viktimës së parë në shlyerje të borxhit.

Të dyshuarit E.K. dhe A.K. nga viktimat, për shkak të grumbullimit të parave, kërkuan 550 mijë euro. Për të siguruar këtë shumë, ata kërkuan nga viktima B.Ç. që në emër të kamatave t’ia kalojë në pronësi dy lokale dhe një shtëpi, me vlerë të përgjithshme rreth 1 milion euro. Ata përdorën edhe dhunë. Të dyshuarit u kapën në flagrancë të mërkurën.

“Të pandehurit E.K., dhe A.K., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përdorin forcë duke i rrahur dhe kanosur viktimat, me ç’rast e detyrojnë viktimën B.Ç., që më datë 11.03.2026 së bashku me nënën e tij të shkojnë fillimisht në zyrën e përmbaruesit privat për të vazhduar më pas me procedurat noteriale për kalimin e pronës, mirëpo në aplikim të masave të veçanta hetimore, ndërhyn policia dhe i arreston të pandehurit. Gjatë aksionit dhe veprimeve hetimore, Prokuroria Themelore në Prizren ka sekuestruar pasuri të specifikuar, para të gatshme, pajisje elektronike, kontrata, akte të ndryshme noteriale, dhe prova të tjera materiale, të cilat lidhen me veprat penale të lartcekura. Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, në mbrojtjen e viktimave të veprave penale dhe në forcimin e sundimit të ligjit, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për vënien para drejtësisë të personave që bien ndesh me ligjin”, thuhet nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika