Si dëshmitar në Tribunalin e Hagës (2002) kundër Sllobodan Millosheviqit dhe kundër përfaqësuesve të tjerë ushtarakë të atij regjimi gjenocidal (2009), e ndiej sot si detyrim moral, qytetar dhe historik të flas publikisht për këtë padrejtësi e rëndë që po bëhet sot ndaj krerëve të UÇK-së, kujtesës së viktimave dhe ndaj së vërtetës historike. Unë dhe të tjerë kemi dëshmuar për krimet që u kryen kundër popullit shqiptar në Kosovë, për dhunën sistematike, për dëbimet masive, për djegien e shtëpive, për vrasjet e civilëve dhe për politikën shtetërore serbe të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve. Këto nuk janë interpretime politike, por janë fakte që janë dokumentuar para drejtësisë ndërkombëtare dhe para opinionit botëror. Kundër këtij regjimi dëshmuan dhjetëra shqiptarë, njerëz që bartnin mbi supe dhimbjen e familjeve të tyre, të qyteteve, të fshatrave të tyre dhe të një populli të tërë.
Sot, kur zhvillohen procese gjyqësore kundër krerëve të UÇK-së dhe kërkohen dënime jashtëzakonisht të rënda, për mua kjo përbën një padrejtësi të madhe historike. Barazimi midis agresorit shtetëror serb që ushtroi gjenocid dhe kerëve të popullit që luftoi për mbijetesë dhe liri, është i papranueshëm. Historia nuk mund të shkruhet duke barazuar viktimën me agresorin dhe as duke relativizuar krimet e dokumentuara kundër civilëve shqiptarë nga regjimi shtetëror serb.
Unë besoj fuqishëm se ata që po gjykohen sot janë të pafajshëm. Besoj se procesi në vetvete është i padrejtë dhe se kjo gjykatë është duke vepruar gabim ndaj së vërtetës historike dhe drejtësisë. Si qytetar, unë jam i bindur se ata që në ndërgjegjen kolektive të popullit shqiptar lidhen me rezistencën ndaj dhunës dhe spastrimit etnik të Serbisë, nuk duhet të trajtohen si të barabartë me agresorin. Për popullin shqiptar, lufta për liri nuk ishte zgjedhje ideologjike, por ishte çështje mbijetese. Ishte reagim ndaj dhunës sistematike, ndaj dëbimeve dhe ndaj përpjekjes për zhdukje nga trojet e veta. Prandaj, bindja se viktima po ndëshkohet njësoj ose më rëndë se agresori, lëndon jo vetëm ndërgjegjen historike, por edhe besimin në drejtësinë ndërkombëtare.
Ndëshkimi i luftëtarëve të lirisë dhe relativizimi i gjenocidit serb dhe i spastrimit etnik përbën padrejtësi historike. Një popull që ka përjetuar gjenocid nuk kërkon hakmarrje, por kërkon drejtësi të vërtetë dhe respekt për të vërtetën historike. E vërteta historike nuk mund të fshihet dhe nuk mund të zëvendësohet me interpretime që barazojnë të pabarazueshmen. Kujtesa e viktimave është përgjegjësi morale e brezave dhe e institucioneve. Pa këtë të vërtetë nuk ka drejtësi dhe pa drejtësi nuk ka paqe të qëndrueshme për të ardhmen.
Shkruan: Xhafer Beqiraj





