LAJME

Operacion policor në Prizren kundër fajdesë, të dyshuarit i shmangen arrestimit

Operacion policor në Prizren kundër fajdesë, të dyshuarit i shmangen arrestimit
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Mars 2026, 12:39

Njësitë e Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar kanë zhvilluar sot një veprim policor në Prizren, në kuadër të një hetimi që lidhet me veprën penale të fajdesë.

Operacioni është realizuar në kuadër të hetimeve për aktivitetet e dyshuara të dhënies së parave me kamata të paligjshme, fenomen që prej kohësh konsiderohet si një nga format më problematike të krimit ekonomik në vend.

Sipas informacioneve nga burime të afërta me hetimin, gjatë këtij veprimi policor janë kryer bastisje në disa lokacione dhe objekte banimi, mirëpo edhe kësaj radhe personat kryesorë të dyshuar nuk janë gjetur në vendbanimet e tyre.

Ky nuk është operacioni i parë që lidhet me këtë rast. Veprime të ngjashme policore janë zhvilluar edhe më parë, por edhe atëherë të dyshuarit kishin arritur t’i shmangen arrestimit, çka ka ngritur dyshime se mund të ketë rrjedhje të informacionit para aksioneve policore.

Operacioni i fundit ishte ndërmarrë pikërisht si rezultat i dështimeve të mëhershme për arrestimin e personave të dyshuar, duke u zhvendosur në kuadër të strukturave që merren me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Policinë e Kosovës.

Megjithatë, edhe këtë herë operacioni nuk rezultoi me arrestimin e të dyshuarve kryesorë, të cilët dyshohet se sërish kanë arritur t’i shmangen përgjegjësisë dhe prangave të policisë.

Rasti konsiderohet pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për luftimin e fajdesë, fenomen që prej kohësh është cilësuar nga autoritetet dhe ekspertët si një “kancer” që po dëmton rëndë shoqërinë dhe ekonominë në Kosovë.

Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, ndërsa pritet që institucionet e sigurisë të ndërmarrin veprime të tjera për të sjellë para drejtësisë personat e dyshuar./Sinjali

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika