LAJME

ZKA-ja auditon procesin e furnizimit me barna për shëndetësinë primare dhe sëmundjet e rralla

ZKA-ja auditon procesin e furnizimit me barna për shëndetësinë primare dhe sëmundjet e rralla
TV Prizreni
TV Prizreni
26 Janar 2026, 20:45

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur auditimin e performancës për procesin e furnizimit me barna nga Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026.

Auditimi përfshin periudhën 2022–2024 dhe ka si subjekt Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe komunat e Lipjanit, Gjilanit, Rahovecit, Mitrovicës së Jugut dhe Ferizajt.

Sipas ZKA-së, fokusi i auditimit do të jetë planifikimi, kontraktimi, shpërndarja dhe menaxhimi i barnave, me qëllim vlerësimin e efikasitetit dhe përdorimit racional të fondeve publike në sektorin e shëndetësisë.

Përmes këtij procesi, do të vlerësohet nëse Ministria e Shëndetësisë ka vepruar në mënyrë ekonomike dhe efikase në furnizimin dhe shpërndarjen e barnave për kujdesin shëndetësor parësor dhe për trajtimin e sëmundjeve të rralla.

Ndërkohë, sipas raportimeve mediatike, pavarësisht ndarjes së një buxheti të konsiderueshëm nga Qeveria për këto barna, mungesat vazhdojnë të jenë të pranishme në praktikë. Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë raportohet se përmbush vetëm 35 deri në 40 për qind të nevojave reale për disa barna, duke i detyruar komunat dhe qytetarët që t’i sigurojnë ato vetë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika