Gjykata Themelore në Prishtinë i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës në rastin e njohur si “rezerva shtetërore”, ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari.
“Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, përmes Aktvendimit PS.nr.68/2025 të datës 13.03.2026, ka refuzuar si të pa bazuara kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, të parashtruar nga mbrojtësit e të pandehurve, të ushtruara ndaj aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Mirlinda Gashi.
Të akuzuar në këtë rasjt janë edhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi.
Bazuar në aktakuzën e PSRK-së, të pandehurit Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica si zëvendëssekretar dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, me procedurë të negocimit kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro. Aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar 193.48 euro më i lartë sesa çmimi mesatar i tregut.
Në aktakuzë më tej thuhet se të pandehurit Hajdari, Lipovica dhe Gara kanë negociuar dhe nënshkruar kontratë edhe me kompaninë “Xanto SP. ZO. O” me seli në Gdynia të Polonisë për blerjen e 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer. Mirëpo, përkundër pagesës së kryer, malli nuk ishte pranuar asnjëherë.
Hajdari, Lipovica, Gara ngarkohen se zbuluan fshehtësinë zyrtare duke ia vënë në dispozicion Muharremit informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore./KOHA