SHËNDETËSI

Shoqata e Onkologëve të Kosovës shpreh shqetësim për gjendjen e shërbimeve onkologjike në vend

Shoqata e Onkologëve të Kosovës shpreh shqetësim për gjendjen e shërbimeve onkologjike në vend
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Mars 2026, 20:26

Shoqata e Onkologëve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me situatën aktuale të shërbimeve onkologjike në Kosovë, në një kohë kur numri i pacientëve me sëmundje malinje po rritet nga viti në vit.

Në një reagim publik, kjo shoqatë thekson se, pavarësisht nevojës së madhe për shërbime onkologjike dhe ngarkesës së vazhdueshme në sistemin shëndetësor publik, disa specialistë të rinj të onkologjisë – të trajnuar për vite me radhë me investim të konsiderueshëm publik dhe personal – vazhdojnë të mbeten pa mundësi punësimi në institucionet publike.

Sipas tyre, çdo specialist i papunësuar përfaqëson një mundësi të humbur për diagnostikim më të shpejtë, trajtim më të personalizuar dhe përmirësim të përgjithshëm të kujdesit për pacientët me kancer në vend.

Shoqata vlerëson gjithashtu se aktualisht aplikimi i kimioterapisë dhe radioterapisë në nivel vendi realizohet kryesisht në Qendra Klinike Universitare e Kosovës, gjë që krijon ngarkesë të madhe për sistemin shëndetësor dhe shpeshherë rezulton me vonesa në trajtimin e pacientëve.

Në këtë kontekst, Shoqata e Onkologëve të Kosovës konsideron se angazhimi sa më i shpejtë i onkologëve të rinj do të ndikonte drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve të shërbimeve onkologjike, përmirësimin e qasjes së pacientëve në trajtim dhe uljen e kohës së pritjes për terapi.

Në fund të reagimit, shoqata u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që ta trajtojnë këtë çështje me prioritet, duke krijuar mundësi për integrimin e specialistëve të rinj në sistemin shëndetësor publik dhe duke forcuar kapacitetet e shërbimeve onkologjike në vend.

Sipas tyre, përmirësimi i trajtimit të pacientëve me kancer duhet të mbetet një prioritet i përbashkët institucional dhe profesional.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika