Në Kosovë është ndërmarrë nisma për themelimin e një klubi të ri të dedikuar veturave klasike, me fokus të veçantë në markën Renault.
Pronarët e automjeteve klasike Renault, të cilët prej disa vitesh organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore dhe ekspozita, kanë vendosur të formalizojnë veprimtarinë e tyre përmes krijimit të “Renault Retro Klub”.
Vendimi është marrë pas një takimi të mbajtur në Prizren, ku morën pjesë entuziastë nga qytete të ndryshme të Kosovës.
Pas një turi kulturor në qytet, anëtarët zhvilluan një mbledhje organizative, gjatë së cilës u bë ndarja e detyrave dhe u vendos që të procedohet me aplikimin zyrtar për regjistrimin e klubit.
Përfaqësuesit e klubit theksuan se, megjithëse formalizimi po bëhet tani, aktivitetet e tyre kanë nisur prej disa vitesh dhe interesimi për veturat klasike është në rritje të vazhdueshme.
Sipas tyre, grupi ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare të automjeteve klasike, si dhe ka pranuar ftesa për evente të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Njëri nga anëtarët themelues, Ehat Oreshka, deklaroi se përvoja e fituar nga angazhimi i mëhershëm në klube të tjera automobilistike ka shërbyer si bazë për krijimin e këtij organizimi të ri.
Ai shtoi se në të ardhmen synojnë të pasurojnë aktivitetet me përmbajtje më të gjerë dhe organizime më të strukturuara.
Ndërkaq, anëtari tjetër themelues, Atakan Koro, theksoi se pas pandemisë globale është rritur interesi për aktivitete të tilla, duke bërë që grupi të ftohet në festivale të shumta dhe në programe televizive.
Ai nënvizoi se qëllimi i klubit nuk është vetëm promovimi i një marke të caktuar, por ruajtja dhe gjallërimi i trashëgimisë së automjeteve klasike në përgjithësi, duke i bërë ato pjesë të jetës së përditshme.
Aktiviteti në Prizren u përmbyll me një iftar të organizuar nga vetë anëtarët, duke forcuar edhe më tej bashkëpunimin mes tyre.