Banorët e rrugës “Ahmet Shukuri” në fshatin Billushë të Prizrenit po kërkojnë ndërhyrje urgjente nga KEDS-i, pasi një shtyllë elektrike prej druri është dëmtuar dhe është anuar ndjeshëm, duke ngritur shqetësime për sigurinë e banorëve dhe kalimtarëve.
Sipas një qytetari që i është drejtuar televizionit, problemi ka nisur para rreth 3–4 ditësh, ndërsa një pjesë e lagjes ka mbetur pa energji elektrike.
Banorët pretendojnë se gjatë kësaj periudhe kanë kontaktuar vazhdimisht me KEDS-in, duke bërë dhjetëra thirrje për të kërkuar ndërhyrje në terren. Megjithatë, sipas tyre, deri më tani problemi nuk është zgjidhur.
Përveç ndërprerjes së energjisë elektrike, banorët shprehen të shqetësuar edhe për sigurinë, pasi shtylla e anuar dhe e dëmtuar ndodhet pranë zonës së banuar dhe telat elektrikë janë ende të lidhur me të.
“Nuk po kërkojmë asgjë më shumë se një ndërhyrje urgjente për të eliminuar rrezikun dhe për të rikthyer energjinë elektrike”, thuhet në mesazhin e dërguar.
Banorët i bëjnë thirrje KEDS-it dhe ekipeve përgjegjëse që të dalin sa më shpejt në terren, të sigurojnë zonën dhe të bëjnë riparimin ose zëvendësimin e shtyllës së dëmtuar.
Ata kërkojnë që ndërhyrja të bëhet pa vonesa, duke shprehur shqetësimin për rrezikun që mund të paraqesë pozita e shtyllës dhe rrjeti ajror për personat që qarkullojnë në atë zonë.
