LAJME

Kryenegociatori Zulfaj zhvilloi takim me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestagun Gjerman

Kryenegociatori Zulfaj zhvilloi takim me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestagun Gjerman
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Shtator 2026, 11:14

Në Bundestagun gjerman, kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, zhvilloi takim me Dr. Anton Hofreiter, kryetarin e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian dhe deputetin e Aleancës 90/Të Gjelbrit, zëvendës kryetarin e Komisionit dhe deputetin e SPD-së, Johannes Schraps, dhe Peter Beyer, anëtarin e Komisionit dhe deputetin e CDU/CSU-së. Zulfaj u shoqërua nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, kryenegociatori Zulfaj i falënderoi deputetët për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar mirënjohjen e popullit të Kosovës për solidaritetin dhe përkrahjen gjermane në momentet vendimtare të historisë sonë – nga çlirimi dhe rindërtimi pas luftës, te rruga drejt pavarësisë, shtetndërtimi dhe zhvillimi ekonomik i vendit.

Siç bëhet e ditur tutje, në fokus të takimit ishte avancimi i Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Zulfaj theksoi se, pothuajse katër vjet pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në BE, Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon pa statusin e vendit kandidat. Ai kërkoi mbështetjen e Bundestagut që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës këtë vjeshtë.

Kryenegociatori nënvizoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës dhe se zëri i saj ka peshë të veçantë në politikën e zgjerimit të BE-së. Në këtë drejtim, ai kërkoi angazhim proaktiv të parlamentarëve gjermanë, përfshirë përmes kontakteve me homologët e tyre në shtetet e tjera anëtare dhe familjet politike evropiane, për të ndihmuar në avancimin e aplikimit të Kosovës.

Gjatë takimit thuhet se u diskutua gjithashtu për progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, zbatimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit ne BE, si dhe përkushtimin e plotë të Kosovës ndaj vlerave të Bashkimit Evropian dhe harmonizimin e plotë të Republikës së Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Në fund thuhet se kryenegociatori Zulfaj i falënderoi deputetët gjermanë për mundësinë e takimit dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika