LAJME

Gërvalla rikujtoi sulmin në Banjskë: Ne humbëm një hero, por mbi agresionin, krimin e terrorin, fitoi Kosova

Gërvalla rikujtoi sulmin në Banjskë: Ne humbëm një hero, por mbi agresionin, krimin e terrorin, fitoi Kosova
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Shtator 2026, 11:07

Në trevjetorin e rënies heroike të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, gjatë aktit të hapur të agresionit në Banjskë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka përkujtuar Heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, ngjarjen në Banjskë dhe të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që u përballën me sulmin e 24 shtatorit 2023.

“Atë mëngjes, në një sulm të organizuar, të udhëhequr dhe të financuar nga Beogradi, në mbrojtje të Republikës, të ligjit, të sovranitetit dhe të qytetarëve të këtij vendi, ra në krye të detyrës rreshteri i Policisë së Kosovës, Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku”, deklaroi ministrja Gërvalla.

Ajo theksoi se akti i hapur i agresionit i 24 shtatorit 2023 kishte për qëllim cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj përmes pushtimit të një pjese të territorit të veriut të Kosovës.

Duke iu referuar zhvillimeve në drejtim të vendosjes së drejtësisë, ministrja Gërvalla tha se, tre vjet pas sulmit, drejtësia ka filluar të flasë me dënimin e tre prej autorëve të përfshirë në sulm.

“Edhe të tjerët nuk kanë ku të fshihen përgjithmonë. Radoiçiqi, kryekrimineli i sulmit të Banjskës, kreu në hije i Listës Serbe dhe njeriu që udhëhoqi sulmin, ende fshihet i lirë në Serbi, në gjirin e Vuçiqit në Beograd. Ai iku nga Kosova, por nuk mund t’i ikë përgjithmonë përgjegjësisë e drejtësisë”, u shpreh ajo.

Gërvalla tha se përballë kësaj situate, BE-ja nuk duhet të mbyllë sytë e veshët, pasi, sipas saj, sulmi në Banjskë nuk është vetëm çështje e Kosovës.

“Në vend të përsëritjes së frazave boshe, BE-ja duhet të kërkojë qartë dhe pa ekuivok nga Vuçiqi ekstradimin dhe ndëshkimin e gjithë përgjegjësve të Banjskës. Serbia duhet t’i dorëzojë. Të gjithë. Vetëm kështu mund të vendoset drejtësia”, tha ajo.

Në fund, ministrja theksoi se Republika e Kosovës nuk do ta harrojë kurrë Heroin e saj, Afrim Bunjakun, ngjarjen e Banjskës dhe të gjithë ata pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të sistemit tonë të sigurisë në përgjithësi, të cilët më 24 shtator 2023 zmbrapsën sulmin dhe mbrojtën Republikën.

“Atë mëngjes ne humbëm një Hero. Por mbi agresionin, krimin e terrorin fitoi Kosova, fitoi Republika. Fitoi e drejta dhe e vërteta. Dhe në fund, do të triumfojë edhe drejtësia”, tha Gërvalla duke shtuar se Republika e Kosovës nuk do të ndalet asnjëherë së kërkuari drejtësi, derisa përgjegjësit të përballen me të, kudo që fshihen dhe sado i fuqishëm të jetë pushteti që i mbron.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika