Një shtetas kosovar është arrestuar sot në pikëkalimin kufitar në Morinë, pasi tentoi të trafikonte lëndë narkotike në Shqipëri.
“Si rezultat i verifikimeve dhe kontrolleve të detajuara të kryera në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut dhe punës operative, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, goditën një tjetër rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, në Shqipëri.
Për rastin u arrestua në flagrancë shtetasi H. M., 33 vjeç, banues në Prizren” deklaron Policia e Shtetit.
Sipas policisë, sasia e gjetur tek i dyshuari është 101 gramë kanabis.
“Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme” deklaron policia.





