LAJME

Çmimet e naftës ngritën pasi Trump pretendon se SHBA “shkatërroi krejtësisht” qendrën e eksportit në Ishullin Kharg të Iranit

Çmimet e naftës ngritën pasi Trump pretendon se SHBA “shkatërroi krejtësisht” qendrën e eksportit në Ishullin Kharg të Iranit
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Mars 2026, 09:40

Një tjetër fundjavë ka shtuar shqetësimet e tregut global për luftën në Lindjen e Mesme, pas sulmeve të SHBA-së në qendrën jetike të naftës, ka raportuar të hënën (16.03.2026) gazeta britanike, “The Guardian”.

Çmimet e naftës janë rritur sërish mes frikës në rritje për furnizimin, pasi SHBA-ja ka goditur qendrën jetike iraniane të naftës në Ishullin Kharg dhe presidenti Donald Trump u ka kërkuar aleatëve ta ndihmojnë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Nafta e papërpunuar Brent, standard ndërkombëtar, u rrit me 1.8% në 104.98 dollarë për fuçi gjatë tregtimit të hershëm të së hënës. Një tjetër fundjavë dhune në krejt Lindjen e Mesme ka shtuar shqetësimet mbi konfliktin dhe pasojat e tij për tregjet globale të energjisë

Presidenti amerikan ka theksuar të shtunën se sulmet amerikane kishin “shkatërruar plotësisht” pjesën më të madhe të Ishullit Kharg, duke i thënë NBC Nessit se ushtria amerikane mund të godasë vendin “disa herë të tjera vetëm për argëtim”.

Kharg, ishull koralor rreth shtatë kilometra i gjatë në Gjirin Persik, nja 45 kilometra nga kontinenti, është qendër kyçe përpunimi për Iranin, përmes të cilit zakonisht rrjedhin 90% e eksporteve të naftës iraniane.

Trump ka pretenduar në mediat sociale se kishte shmangur goditjen e infrastrukturës së naftës dhe energjisë në ishull “për arsye të mirësjelljes” dhe se ishin goditur vetëm objektivat ushtarake.

Por vendimi për të goditur Khargun, i cili ishte lënë kryesisht i paprekur nga operacioni SHBA-Izrael gjatë dy javëve të para, nuk i qetësoi shqetësimet që po përhapeshin në tregjet globale.

Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët ujore më të rëndësishme në botë, përmes së cilës zakonisht kalojnë rreth një e pesta e furnizimeve ndërkombëtare me naftë, është mbyllur pothuajse që nga fillimi i krizës. 

Përgjigje e heshtur

Trump ka pretenduar këtë fundjavë se “shumë vende” do të dërgojnë luftanije për të ndihmuar rihapjen e ngushticës.

Ai nuk ka identifikuar se cilat vende do ta bënin këtë, por u kërkoi publikisht aleatëve specifikë të SHBA-së – Francës, Japonisë, Koresë së Jugut dhe Mbretërisë së Bashkuar – dhe Kinës të bashkohen me një “përpjekje ekipore” për të mbrojtur anijet që kalojnë nëpër ngushticë nga sulmet iraniane.

Përgjigja ishte padyshim e heshtur.

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut ka theksuar se po “eksploron masa të ndryshme nga këndvështrime të shumta” për të ndihmuar sigurimin e rrugëve të transportit të energjisë.

Ministrat e Mbretërisë së Bashkuar po hartojnë plane për të dërguar dronë pastrimi minash në ngushticë, mes shqetësimeve se përmbushja e kërkesës së Trumpit për të dërguar anije mund të përshkallëzonte krizën.

Çmimet e naftës kaluan 100 dollarë për fuçi javën e kaluar për herë të parë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia katër vjet më parë, ndërsa marrëveshja SHBA-Izrael shkaktoi rritje të tregut që rriti kostot e karburantit në të gjithë botën – dhe i çoi aksionet në kompanitë kryesore të naftës në nivelet më të larta të të gjitha kohërave.

Frustrim në rritje

Frustrimi është rritur ditëve të fundit ndërsa kostot e karburantit vazhduan të rriteshin në të gjithë botën. Çmimi mesatar i karburantit në SHBA arriti në 3.70 dollarë për galon të dielën, sipas AAA, 62 cent më shumë se një muaj më parë.

“Nuk më intereson fare Irani. Nuk dua të paguaj më shumë benzinë”, ka theksuar Kevin Dass, baba i dy fëmijëve , për “Guardianin” në Detroit javën e kaluar, pasi pagoi 3.49 dollarë për galon për ta mbushur automjetin.

Presidenti Trump, nga ana e tij, u përpoq të minimizonte rrezikun që çmimet e karburantit të mbeten të larta për një periudhë të zgjatur. “Mendoj se do të bien më poshtë se më parë”, i ka thënë ai NBC-së.

“Ka kaq shumë naftë, gaz…”, ka shtuar Trump. “Por e dini, po bllokohet pak. Do të çlirohet shumë shpejt”.

Vendet në krejt Azinë janë përpjekur të përballen me krizën e energjisë nga subvencionet e karburantit në Tajlandë deri te racionimi në Bangladesh./The Guardian/Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika