LAJME

Kusari-Lila: Çmimet e naftës parashihen të stabilizohen gjatë verës

Kusari-Lila: Çmimet e naftës parashihen të stabilizohen gjatë verës
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Mars 2026, 16:04

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, më 17.03.2026, ka deklaruar se gjatë verës parashihet të ketë stabilizim të çmimeve të naftës. Përderisa ka lëvizje të çmimeve të naftës së importuar, sipas saj, do të ketë edhe lëvizje të çmimeve brenda vendit.

“Parashihet në muajt në vijim, në veçanti në periudhën e verës, që do të ketë një stabilitet të çmimit”, tha ajo.

Mimoza Kusari-Lila shpjeguar se marzha e fitimit për naftëtarët vendoset bazuar në çmimin e sasisë së importuar një ditë më parë.

Lëvizjet në tregun botëror, sipas saj, po vendosin edhe çmimet në Kosovë, por “kufizimi i marzhës së fitimi 2 centë për shitjen me shumicë dhe 12 centë për shitjen me pakicë por mban nën kontroll situatën në vend”.

“Lëvizjet që po ndodhin janë reflektim i drejtpërdrejtë i rritjes së çmimit në tregun e jashtëm. Ne si vend importues, që nuk kemi rafineri, po ndikon shumë më shumë sesa në vendet si Greqia apo Maqedonia e Veriut, që kanë rafineritë e naftës. Megjithatë, prapë, te të gjithë është duke u reflektuar rritja e çmimit, veçse në Kosovë po e ka ndikimin e drejtpërdrejtë”, ka thënë ajo.

Ministrja ka thënë se situata me rezervat e naftës në vend është stabile.

“Në raport me rezervat e importuesve, gjegjësisht kompanive që merren me tregtimin e derivateve, jemi duke i përcjellë edhe rezervat. Nuk ka lëvizje, nuk ka rënie në rezervat e tyre. Do të thotë ende është situatë e menaxhueshme dhe larg situatës së panikut”, shtoi ajo.

Kusari-Lila tha se në Kosovë deri më tani nuk ka pasë nevojë të ketë lëshim të rezervave shtëtërore.

Ajo ka bërë të ditur se ka pasur shkelje të vendimit për marzhën e fitimit.

Megjithatë, sipas saj ka pasur masa ndëshkuese nga Inspektorati i Tregut.

“Po, ka pasur dy kompani që kanë shkelur vendimin tonë dhe Inspektorati më ka informuar për dy kompanitë, të cilat kanë masën e parë – gjobën, masën e dytë – tërheqjen e licencës. [Ende] Nuk ka ardhur te masa e dytë. Do të thotë janë ndaluar tek dënimi, gjegjësisht reagimi i parë i Inspektoratit të Tregut”, tha Kusari-Lila.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika