Bashkimi Evropian i ka hequr të gjitha masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, është bërë e ditur nga Komisioni Evropian.
Gjatë debatit që është zhvilluar për Raportin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së, konfirmoi heqjen e masave financiare.
“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian e ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, u shpreh ai.
Gjatë diskutimit në Parlamentin Evropian është shprehur keqardhje për vitin e humbur në Kosovë për shkak të ngërçit politik me të cilin u përball vendi gjatë gjithë vitit 2025.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, tha se paraliza politike në të cilin ishte Kosova kishte pasoja edhe në procesin reformues.
“Është për të ardhur keq që pasiguria dhe ngërçi politik kanë ngadalësuar ndjeshëm reformat e nevojshme që Bashkimi Evropian pret nga aplikantët, të cilat janë gjithashtu qartësisht jetike për vetë vendin. Ka qartësisht fusha në të cilat Kosova ka bërë regres të ndjeshëm gjatë vitit të kaluar”, tha raportuesi Terras.
Konfimimi nga KE-ja për heqjen e masave u mirëprit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila theksoi se ky vendim po zbatohet plotësisht.
“E falënderoj KE-në dhe të gjithë partnerët tanë nga shtetet anëtare për mbështetjen e tyre që kjo çështje të përmbyllet, duke rezultuar në heqjen e masave të padrejta që kanë ndikuar negativisht në jetën e popullit të Kosovës. Kosova mbetet e përkushtuar për të punuar ngushtë me BE-në dhe të lëvizë përpara në rrugën drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE”, shkroi ajo në X./REL/