Kryetari i Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prizren, Besnik Krasniqi, ka reaguar ndaj praktikave të punësimit nga pushteti lokal, duke i cilësuar ato si një degradim të rëndë të vlerave të konkurrencës së ndershme.
Sipas Krasniqit, përzgjedhja në vendet e punës në komunë nuk bazohet më në meritë dhe kualifikime profesionale, por, siç thotë ai, është kthyer në një proces të mbështetur në korrupsion të drejtpërdrejtë.
“Sot, në Prizrenin tonë të dashur, vendi i punës nuk matet më me meritë, por me para nën dorë,” deklaroi Krasniqi. Ai thekson se çmimi për një vend pune në komunë llogaritet të jetë nga 5 deri në 15 mijë euro, në varësi të mbështetjes politike apo lidhjeve të brendshme të aplikuesit.





