Drejtori i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka bërë e ditur se vlera e grumbullimit të të ardhurave nga diaspora vetëm për Covid është mbi 717 mijë euro, ndihma këto të ardhura nga diaspora.
“Nga këto mjete, 667 mijë euro janë pranime nga qytetarë që jetojnë jashtë Kosovës, kurse mbi 50 mijë euro janë pranime nga qytetarë brenda vendit”, tha ai.
Ndërkohë, deri më tani, 511 mijë euro janë alokuar në Fondin për Menaxhimin e COVID-19, të Ministrisë së Shëndetësisë, në kategorinë e shpenzimeve kapitale. Kurse, 206 mijë euro të tjera janë bartur në buxhetin për vitin 2021, të cilat, thotë Ismaili, do të shpenzohen vetëm për menaxhimin e pandemisë, shkruan REL.
Duhet theksuar se ndihma nga diaspora ka ardhur pas thirrjes që u ka bërë qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 prill të vitit të kaluar, vetëm një muaj pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus.
Po gjatë vitit të kaluar, kur në Kosovë ishin në fuqi masat kufizuese të lëvizjes, qytetarë nga diaspora përmes aksione të ndryshme, kanë ndihmuar me pako ushqimore familje me kushte të rënda ekonomike, thonë nga organizata “Germin”.
Kurse në institucionet shëndetësore të Kosovës kanë sjellë 15 mijë teste dhe gjysmë milioni maska për qytetarët, si dhe veshje mbrojtëse kundër COVID-19.