LAJME

Kurti: Do t’i shkrijmë të gjitha strukturat paralele serbe

Kurti: Do t’i shkrijmë të gjitha strukturat paralele serbe
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Mars 2026, 19:33

Integrimi i strukturave jolegale do të realizohet pa rrezikuar shërbimet bazë për komunitetin serb, ka thënë kryeministri Albin Kurti. Ai ka theksuar se afati 3-mujor që u është dhënë serbëve sa i përket zbatimit të Ligjit për të huajt do të ketë efekte në këtë integrim. Deklarata ka nxitur reagime në Serb.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë të enjten se do të bëhet integrimi i të gjitha strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, por pa ua cenuar serbëve të drejtën për shkollim e trajtim shëndetësor.

Gjatë përurimit të një segmenti të rrugës Prishtinë-Mitrovicë, tek foli për lehtësirat për serbët gjatë implementimit të Ligjit për të huajt, Kurti tha se zbatimi gradual do të japë efekte pozitive, dhe për krahasim mori edhe afatin shtesë që ishte dhënë për konvertimin e targave të automjeteve nga KM në RKS.

“Ju e dini që strukturat e tjera ilegale të Serbisë, sikurse ato të sigurisë, pastaj të financave, të administrimit, nuk ekzistojnë më në Republikën e Kosovës. Kanë ngelur edhe arsimi e shëndetësia. Ato do t’i inkorporojmë, por që ta bëjmë këtë, është e domosdoshme që njëherë të kemi listën e të gjithë mësimdhënësve, të gjithë mjekëve, infermierëve të cilët punojnë në këto struktura në sistemin arsimor”, ka thënë kryeministri Kurti. “Ne nuk dëshirojmë që pacientët serbë të ngelin pa trajtim shëndetësor. Ne nuk dëshirojmë që nxënësit serbë të ngelin pa mësim”.

Deklarata e kryeministrit ka nxitur reagim në Beograd.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika