Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka miratuar propozim-vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për t’i kërkuar presidentes së Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e drejtësisë.
“Pas zhvillimit të negociatave me Ministrinë e Drejtësisë së Belgjikës është arritur pëlqimi lidhur me tekstin e Marrëveshjes, që ka për qëllim bazën ligjore dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet penale sepse kjo marrëveshje harmonizon procedurat në mënyrë që të mundësojë bashkëpunim sa më të frytshëm dhe të shpejt në mes dy vendeve”, tha ministrja Gërvalla.
Tutje ministrja Gërvalla shtoi se marrëveshja do të kontribuojë në përmirësimin dhe plotësimin e infrastrukturës ligjore dhe institucionale të sistemit të drejtësisë në Kosovë, përmes intensifikimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale, duke konsoliduar përvojën dhe kapacitetin e Republikës sonë.
Krejt në fund, Gërvalla tha se Republika e Kosovës vazhdon të ndërtojë partneritete të forta dhe të qëndrueshme, sepse sipas saj vetëm kështu forcohet sundimi i ligjit, siguria juridike, besimi i qytetarëve tanë dhe roli i Republikës së Kosovës si partner i besueshëm në drejtësinë ndërkombëtare.