Stërvitjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën, në territorin e Bujanocit, kanë ngrehur shqetësime të mërkurën në mesin e shqiptarëve si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Fillimisht kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Enkel Rexhepi, i quajti të papranueshme ato stërvitje derisa kryetari i Gjilanit tha se janë provokuese.
Por, KFOR-i ka deklaruar se ka qenë i njoftuar për stërvitjet e ushtrisë serbe, e ato i ka quajtur aktivitet rutinë. Sipas KFOR-it, ky aktivitet nuk ka paraqitur kërcënim e as rrezik për sigurinë.
“Mund të konfirmojmë se KFOR-i u informua se Forcat e Armatosura Serbe do të kryenin një aktivitet të planifikuar trajnimi që përfshinte parashutistë të vendosur nga një helikopter në fshatin Muhovc, Serbi. Ky është një aktivitet rutinë i kryer brenda territorit serb dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë ose stabilitetin në rajon”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për KOHËN.





