LAJME

Shpëtohet një familje kosovare dhe të tjerë që kishin mbetur të bllokuar në borë në rrugën Kullë-Rozhajë

Shpëtohet një familje kosovare dhe të tjerë që kishin mbetur të bllokuar në borë në rrugën Kullë-Rozhajë
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Mars 2026, 19:31

Një familje kosovare me tre fëmijë që kishte mbetur e bllokuar në borë në rrugën rajonale Kullë-Rozhajë është shpëtuar nga ekipi i Shërbimit të Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës (SHKSHMK).

Sipas njoftimit, më 18.03.2026, Policia e Pejës kishte kërkuar ndihmë nga Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor për këtë rast.

Ndërsa, si pasojë e reshjeve të dendura të borës, rruga rajonale Kullë–Rozhajë ishte bllokuar dhe disa udhëtarë kanë mbetur të bllokuar me automjetet e tyre.

Kështu ekipet e shpëtimit ishin nisur drejt vendit të ngjarjes me pajisje speciale të shpëtimit malor, duke përfshirë edhe një motosajë.

“Më të arritur tek familja e cila ishte bllokuar në borë, teknikët e shpëtimit kanë bërë vlerësimin e gjendjes së tyre shëndetësore dhe më pas kanë realizuar evakuimin e tyre deri në zonën e sigurt, në Pikën Kufitare Kullë” – njofton SHKSHMK më 18.03.2026.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor po ashtu njofton se ndihmë u kanë ofruar edhe personave të tjerë të bllokuar në zonë.

“Po ashtu, është evakuuar edhe një shofer kamioni, i cili kishte mbetur i bllokuar në të njëjtin lokacion dhe gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar. Ai është dërguar drejt kufirit me Malin e Zi dhe i është dorëzuar autoriteteve malazeze, pasi ishte shtetas i këtij shteti.” – ka shtuar SHKSHMK.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika