LAJME

Kosova dhe Italia me marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë

Kosova dhe Italia me marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Mars 2026, 09:09

Administrata Tatimore e Kosovës njofton se ka filluar zbatimi i Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore në fushën e tatimit në të ardhura.

Sipas njoftimit, kjo marrëveshje synon të avancojë marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve dhe të forcojë bashkëpunimin në çështjet tatimore.

Siç bën të ditur ATK, përmes saj mundësohet eliminimi i barrës së tatimit të dyfishtë për individët dhe bizneset, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investime dhe aktivitete ekonomike.

“Në të njëjtën kohë, marrëveshja adreson parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimor, duke kufizuar përdorimin e skemave që çojnë në mos-deklarim apo deklarim jo të saktë. Në kuadër të saj përcaktohen qartë personat e mbuluar dhe mënyra e trajtimit të të ardhurave për qëllime tatimore. Marrëveshja zbatohet për personat rezidentë të njërit apo të të dy shteteve kontraktuese dhe trajton të ardhurat që burojnë përmes subjekteve apo aranzhimeve të ndryshme, në përputhje me legjislacionin përkatës të secilit shtet” – thuhet në njoftim.

Gjithashtu, ATK bën të ditur se marrëveshja siguron respektimin e të drejtave tatimore të shteteve kontraktuese, duke përcaktuar rastet kur përfitimet nga kjo marrëveshje mund të aplikohen.

“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si dhe rritjes së sigurisë ligjore për investitorët dhe bizneset që operojnë në të dy vendet.
Republika e Kosovës vazhdon të zgjerojë rrjetin e saj të marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e tatimeve dhe aktualisht ka në fuqi gjithsej 22 marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë me shtete të ndryshme” – thekson në fund ATK.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika