LAJME

AKK: Vlera e dëmeve nga vërshimet e fundit nëpër komuna tejkalon 5 milionë euro

AKK: Vlera e dëmeve nga vërshimet e fundit nëpër komuna tejkalon 5 milionë euro
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Mars 2026, 12:38

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se sipas vlerësimeve fillestare të komunave të prekura nga vërshimet e fundit, dëmet deri më tani tejkalojnë shumën prej 5 milionë eurosh, siç ka thënë ai, duke prekur rëndë ekonomitë familjare, bizneset lokale dhe infrastrukturën publike.

Ai ka thënë se komunat më të prekura, sipas vlerës së dëmeve, janë: Gjakova – 2.7 milionë euro, Drenasi – mbi 1.5 milionë euro, Peja, Rahoveci dhe Mitrovica – me nga 800 mijë euro secila, Klina – mbi 650 mijë euro e Malisheva – 540 mijë euro.

Ibrahimi ka thënë se vlerësimet ende nuk janë përfundimtare për disa komuna të tjera.

“Në këtë situatë, i bëjmë thirrje nivelit qendror për reagim urgjent dhe të koordinuar institucional; alokim të menjëhershëm të mjeteve financiare; aktivizim të fondeve emergjente dhe mekanizmave shtetërorë; mbështetje konkrete për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e normalitetit për qytetarët dhe bizneset si dhe shtim të veprimit institucional që këto mos të përsëriten, pra të punohet dhe veprohet në parandalimin e vërshimeve”, ka thënë Ibrahimi në një përgjigje për KOHËN.

Ai ka thënë se komunat nuk mund të përballojnë të vetme këtë barrë financiare.

Sipas tij pa një ndërhyrje të shpejtë nga niveli qendror, rrezikohet seriozisht realizimi i shumë projekteve dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika