Ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare, një ndër arkeologët e gjeneratave të para në Kosovë, Luan Koçbashliu nga Prizreni.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta, u bë i ditur nga kolegët e tij në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.
Me rastin e ndarjes së tij nga jeta, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka përcjellur një telegram ngushëllimi drejtuar familjes së të ndjerit.
Ajo vlerësoi lartë kontributin e Koçbashliut në institucionet e trashëgimisë kulturore, veçanërisht në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të arkeologut të shquar, Luan Koçbashliu. Kontributi i tij i çmuar në institucionet e trashëgimisë kulturore, veçanërisht në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Si një ndër arkeologët e gjeneratave të para në Kosovë, puna dhe përkushtimi i tij do të mbeten frymëzim dhe shembull për brezat e rinj. Në këto momente të vështira, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit” – shkruan Bogujevci.
Ngushëllime dhe pikëllim të thellë për ndarjen e tij nga jeta, kanë shprehur edhe kolegët e arkeologut në QRTK – Prizren, duke theksuar se ai ishte një ndër shtyllat themelore të këtij institucioni dhe frymëzim për shumë breza.
“Luani ishte një ndër shtyllat themelore të institucionit tonë, duke shërbyer me përkushtim të lartë që nga fazat e para të themelimit të QRTK-së e deri në pensionimin e tij. Pjesën më të madhe të jetës dhe veprimtarisë profesionale ia kushtoi Muzeut Arkeologjik të Prizrenit, ku me urtësi, përkushtim dhe zell të rrallë kontribuoi në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave tona historike…Për ne, ai nuk ishte vetëm një profesionist i dalluar, por mbi të gjitha një njeri me virtyte të larta njerëzore. ‘Axha Luan’, siç njihej me respekt nga kolegët dhe vizitorët, ishte frymëzim për shumë breza, duke kultivuar tek ta dashurinë për historinë dhe arkeologjinë” – shkruan QRTK.
Tutje, kolegët e tij kanë kujtuar edhe ekspeditat dhe gjetjet e tij arkeologjike në rajonin e Prizrenit dhe mbarë Kosovën
“Si arkeolog i terrenit, i palodhur dhe i përkushtuar, ai la gjurmë të thella në hulumtimin dhe ndriçimin e së kaluarës sonë. Kontributi i tij ishte thelbësor në një sërë ekspeditash arkeologjike në rajonin e Prizrenit dhe në mbarë Kosovën, përfshirë lokalitete të rëndësishme si: Hisari i Suharekës, Korisha, Vlashnja, Romaja dhe Kalaja e Prizrenit. Puna e tij shkencore dhe gjetjet arkeologjike në këto lokalitete përbëjnë një dëshmi të çmuar dhe të qëndrueshme të trashëgimisë sonë të lashtë” – thuhet në njoftim.