LAJME

Nënshkruhen marrëveshje me vlerë 81 milionë euro për tranzicionin energjetik

Nënshkruhen marrëveshje me vlerë 81 milionë euro për tranzicionin energjetik
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Mars 2026, 16:47

Ministria e Financave dhe Banka Gjermane për Zhvillim kanë nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 81 milionë eurove, me qëllim avancimin e reformave dhe përshpejtimin e tranzicionit energjetik në Kosovë.

Ministria e Financave ka njoftuar se paketa përfshin një kredi prej 80 milionë eurove dhe një grant prej 1 milion euro për mbështetjen e zbatimin të reformave në sektorin e energjisë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve ka marrë pjesë edhe ambasadori gjerman Rainer Rudolph.

“Ministri i Financave z. Hekuran Murati theksoi se kjo mbështetje do të kontribuojë në modernizimin e kornizës ligjore dhe rritjen e fleksibilitetit të tregut të energjisë elektrike, duke mundësuar integrimin e mëtejmë në tregjet rajonale dhe evropiane, si dhe duke nxitur investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë.”- thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave.

Udhëheqësi i divizionit të enegjisë në këtë bankë, Pablo Obrador Alvarez ka thënë se ky program është i pari për Kosovën dhe krijon bazë për modernizimin dhe integrimin e sektorit të energjisë.

Qeveria e Kosovës ditë më parë kishte miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për rekomandimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë me KfW për programin në sektorin e energjisë dhe klimës për Kosovën.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika