Prioritet kryesor për Kosovën është sigurua e shtetit dhe e qytetarëve, është thënë në takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur me deputeten britanike, Alicia Kearns, që së fundmi qëndroi në Kosovë. Në takim është thënë se ndëshkimi për sulmin terrorist është vendimtar për mospërsëritje.
Për vizitën e kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar nuk janë dhënë detaje. Takimet janë mbajtur pa publicitet për shkak të sigurisë së saj. Deputetja britanike ishte figura e parë ndërkombëtare që alarmoi për armatimin serb në kishat në Kosovë. Pak muaj pas alarmit të bërë nga ajo, në Zveçan një grup i armatosur serbësh vrau policin Afrim Bunjaku, e në aksionin e Policisë u kap arsenal i madh armësh. Gjatë aksionit të Policisë, sulmuesit u strehuan në Manastirin e Banjskës.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit është thënë se Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e madhe të Kearnsit për Kosovën.
“Në takim u theksua që prioritet kryesor për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve. U tha se pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje. U bisedua për përkushtimin e plotë për zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars)”, thuhet në njoftim.
Deputetja Kearns ka pasur takime edhe me udhëheqës të tjerë institucionalë në Kosovë. Ajo ka parë nga afër edhe armët e kapura nga Policia e Kosovës./KOHA/