Komuna e Prizrenit ka iniciuar procedurat e prokurimit për punimet e nevojshme për finalizimin e ndërtesës së Bibliotekës. Ky projekt i nisur para afër një dekade, nuk është kompletuar ende, përkundër zotimeve të qeverive të ndryshme komunale.
Njoftimi për kontratë është publikuar gjatë kësaj jave.
“Autoriteti Kontraktues synon të bëj renovimin final të objektit të bibliotekës dhe me këtë rast do të kryhen këto veprime: punët ndërtuese, elektrika, mekanika, kanalizim dhe ujësjellës, fikja automatike e zjarrit”, shkruan në këtë njoftim, raporton Telegrafi.
Aty theksohet se vlera e parashikuar e kontratës është 1.5 milionë euro, derisa afati i fundit për paraqitjen e ofertave është data 25 shkurt 2025.
Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Adem Morina ka theksuar se projekti është planifikuar si trevjeçar, por se synimi është që punimet të realizohen në afatin sa më të shpejt kohor.
“Tashmë është iniciuar procedura e prokurimit për këtë projekt dhe shpresoj që tenderimi të kryhet brenda afateve të caktuara ligjore dhe që punimet të nisin dhe të realizohen sa më shpejtë”, ka thënë Morina për Telegrafin.
Sipas tij, me këtë projekt parashihet rregullimi i tërësishëm i objektit dhe funksionalizimi i tij për veprimtarinë e Bibliotekës dhe zyrat përcjellëse sipas nevojave të kohës.
Aktualisht Biblioteka e Qytetit veprimtarinë e zhvillon në qendër të qytetit përkatësisht në Sheshin e Lidhjes.
Ndërtesa e re e Bibliotekës në Prizren në lagjen “Tabakhane” ka filluar të ndërtohet para afër një dekade. Mirëpo pas realizimit të punimeve të vrazhda, nuk ka pasur intervenime tjera. Në distancë prej disa metrash ndodhet edhe ish-shkolla e Ryzhdijes, që është pronë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore.
Aktivistët e shoqërisë civile, muaj më parë, patën bërë thirrje që autoritetet të intervenojnë në të dyja objektet, me qëllim që ato të vihen në funksion të komunitetit për realizimin e aktiviteteve kulturore dhe edukative.
“Prizreni ka nevojë për objekte kulturore pasi është qytet kulturor edhe për këtë arsye duhet sa më parë të bëhen intervenimet e nevojshme, pra të funksionalizohet Biblioteka e paraparë nga qeveria lokale dhe po ashtu të restaurohet në tërësi edhe objekti i Ryzhdijes pra shkolla e mesme e parë në Prizren”, pat thënë Edin Gështenja nga OJQ “EC Ma Ndryshe”.
Asokohe drejtori Morina pat sqaruar se për çështjen e restaurimit të Ryzhdijes, Komuna e Prizrenit nuk ka ndonjë plan meqë nevojitet bashkërendimi i hapave edhe me autoritetet e trashëgimisë kulturore. /Telegrafi/