Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur se si do t’i bindë partitë opozitare për ta votuar ose Glauk Konjufcën ose Fatmire Mulhaxhën, në rast se Gjykata Kushtetuese vendosë që seanca për Presidentin të vazhdojë, ai tha se do të ftojë në takim kryetarët e partive opozitare.
“Unë besoj se me krerët e partive opozitare duhet të takohemi, dhe unë qysh sot do t’iu dërgoj ftesa për tu takuar në fillim të javës së ardhshme”- tha ai më 13.03.2026 për media.
Kurti potencoi që para seancës për Presidentin, ka zhvilluar tri takime me kryetarin e LDK-së dhe dy me kryetarin e PDK-së. Megjithatë, ai tha se në 48 orët e fundit, para se të mbërrijmë tek mesnata e 05.03.2026, nuk pati asnjë takim.
“Mendoj që kjo ka qenë dëm dhe gabim. Ishte dashur të takohemi edhe në 48 orët e fundit. Dhe mos harroni, vetëm kur u bë e pamundur figura konsensuale, vetëm atëherë kur PDK kërkoi që ne t’ia siguronim votat për dy kandidatët e saj pa na treguar fare emrat, neve, më pak se 30 orë para mesnatës së 5 marsit, na nxorëm emrin Glauk Konjufcës. Dhe sërish pritëm, u refuzua takimi me mua. Dhe vetëm tre orë para mesnatës së pesë marsit nxorëm edhe emrin e Fatmire Mulhaxha Kollçaku”- tha ai.
Ai tha se gjasa për konsensus përcaktohet vetëm nga të tjerët për shkak se gatishmëria e tyre si LVV për konsensus është e plotë.
Fati i seancës për zgjedhjen e Presidentit dhe drejtimi i mundshëm kah zgjedhjet e reja kanë mbetur pezull në pritje të një aktgjykimi nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, një pikëpyetje mes shumë të tjerave po shtohet rreth vetë këtij procesi: nëse seanca vazhdon, a do të lejohet propozimi i kandidatëve të rinj për President, apo gara do të mbetet e mbyllur vetëm mes dy emrave të nominuar tashmë nga LVV-ja, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Zgjedhja e presidentit dhe caktimi i zgjedhjeve të reja mbeten peng i Gjykatës Kushtetuese. Masa e përkohshme, e cila është në fuqi deri më 31.03.2026, i ka “lidhur duart” presidentes Vjosa Osmani për të shpallur datën e zgjedhjeve dhe ka pezulluar seancën e Kuvendit për të parin e shtetit.
Derisa mëdyshjet se çka do të ndodhë po vazhdojnë deri në shpalljen e verdiktit të Kushtetueses, bashkë me të po i afrohet edhe fundi i mandatit të presidentes Vjosa Osmani që përfundon më 05.04.2026./Kallxo.com