LAJME

Gërvalla viziton Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave: Historia e tyre, përgjegjësia jonë

Gërvalla viziton Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave: Historia e tyre, përgjegjësia jonë
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Mars 2026, 10:32

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, realizoi një vizitë në Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, e cila operon nën drejtimin e drejtoreshës,  Kadire Tahiraj.
 
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Ministrisë, atje, ministrja Gërvalla u njoftua me punën që ndër vite është bërë për të mbështetur gratë dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
 
“Përmes angazhimit të palodhur të stafit, kjo qendër ka krijuar një hapësirë të sigurt dhe mbështetëse për qindra gra, duke ofruar jo vetëm këshillim dhe përkrahje, por edhe mundësi reale për të rifituar dinjitetin, autonominë dhe besimin në të ardhmen”, tha ministrja.
 
Në kuadër të takimit, ministrja Gërvalla pati rastin edhe të bashkëbisedojë dhe të dëgjojë rrëfimet e të mbijetuarave, të cilat sipas saj, na kujtojnë fuqimisht se çdo përpjekje dhe çdo vendim ka rëndësi jetike për të rikthyer besimin dhe shpresën.
 
“Zëri i tyre është një kujtesë e fuqishme se drejtësia nuk është thjesht një parim abstrakt, por një detyrim i përhershëm institucional dhe shoqëror. Çdo histori e ndarë në atë takim riafirmon përgjegjësinë tonë për të mos lejuar që vuajtja e tyre të harrohet, të relativizohet apo të mbetet pa përgjigje”, u shpreh ministrja duke theksuar se historitë e tyre janë përgjegjësia jonë dhe një zotim i përjetshëm për drejtësi.
 
Në anën tjetër, ajo rikonfirmoi angazhimin e plotë dhe të palëkundur institucional duke i qëndruar pranë çdo të mbijetuare, duke forcuar mbështetjen dhe duke punuar që çdo hap drejt drejtësisë të jetë i shoqëruar me dinjitet, respekt dhe veprim konkret.
 
“Sepse historia e tyre nuk është vetëm kujtesë e së kaluarës. Ajo është përgjegjësi e jona e përhershme për të siguruar që drejtësia të mos mbetet premtim, por të bëhet realitet”, përfundoi ministrja Gërvalla.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika