LAJME

Prattipati pret Isufajn, takohen për herën e dytë brenda shtatorit

Prattipati pret Isufajn, takohen për herën e dytë brenda shtatorit
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Shtator 2026, 13:01

Pak pa u mbushur dy javë nga dita kur i shkoi mysafire në zyrat e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e ngarkuara me detyrë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati e priti si nikoqire, shefin e këtij institucioni, Blerim Isufajn, raporton KosovaPress.

Në një njoftim të përfaqësisë së shtetit më të fuqishëm në botë që i referohet takimit të zhvilluar të enjten, thuhet të dy diskutuan për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm në luftimin e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së, si terrorizmi, kontrabanda e drogës dhe e migrantëve, krimet kibernetike dhe organizatat kriminale transnacionale.

Disa nga këto tema ishin përmendur edhe më 11 shtator në takimin në zyrat e PSRK-së.

“Gjatë takimit u diskutua për punën e Prokurorisë Speciale dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Prokuroria Speciale e ka falënderuar znj. Prattipati dhe Ambasadën Amerikane për mbështetjen e dhënë në hetimet e sukseshme kundër organizatave kriminale që merren me krimin transnacional, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese amerikane në luftën kundër krimit të organizuar transnacional”, thuhej në njoftimin pas atij takimi.

Me atë rast, në emër të PSRK-së, dhe duke i dhuruar një plaketë Prattipatit, Isufaj i shprehu mirënjohje Asmbasadës së SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme në ruajtjen e plotë të pavarësisë së Prokurorisë Speciale dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi.

Në të njëjtën ditë, Isufaj ishte vizituar edhe nga ambaadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves.

Edhe aty ishte biseduar për mbështetjen dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit, me autoritetet e Britanisë së Madhe, vendit të cilin Isufaj e cilësoi si si një nga partnerët kryesorë insitucionalë të Prokurorisë Speciale.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika