Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se për një takim me kryeministrin Albin Kurti për çështjen e presidentit mund të takohen vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në një komunikatë për media, partia më e madhe opozitare ka thënë se është e hapur për komunikim dhe dialog politik, por ka shtuar se për këtë duhet të pritet 31 marsi.
“Partia Demokratike e Kosovës e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë. Partia Demokratike e Kosovës beson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend”, thuhet në reagim të PDK-së.





