Sot përkujtohet Beteja e Jeshkovës e 11 marsit 1999, një nga përballjet e rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në rajonin e Vërrinit të Prizrenit. Përveç kujtimit të rënies heroike të luftëtarëve, familjarët dhe bashkëluftëtarët vazhdojnë të presin tash e 27 vite që eshtrat e disa prej tyre të kthehen në atdhe.
Sipas një shkrimi përkujtimor të publikuar nga Fidan Shala, ende nuk dihet fati i eshtrave të 9 nga 18 luftëtarët e rënë në këtë betejë, si dhe i tre luftëtarëve të tjerë që ranë në Malësi të Vërrinit dhe në fshatin Hoqë e Qytetit. Në atë kohë, trupat e tyre u zhdukën nga ushtria dhe policia serbe dhe që nga atëherë nuk dihet vendndodhja e tyre.
Në të dhënat që përmenden edhe në faqen e Brigadës 549 të ushtrisë serbe, e cila vepronte në rajonin e Prizrenit gjatë luftës, thuhet se më 11 mars 1999 në fshatin Jeshkovë u vranë 18 ushtarë të UÇK-së. Megjithatë, edhe pas më shumë se dy dekadash nuk ka informacione të sakta se ku janë dërguar trupat e disa prej tyre.
Këtë vit përkujtohet gjithashtu rënia heroike e Nuredin Shalës dhe katër kushërinjve të tij: Ymer Shala (i njohur si “Kaçaku”), Bajram Shala, Ilmi Shala dhe Liman Shala, së bashku me 13 luftëtarë të tjerë të lirisë.
Beteja e 11 marsit 1999 ishte vazhdimësi e një sërë përballjesh që kishin ndodhur më herët në rajonin e Vërrinit të Prizrenit gjatë vitit 1998. Në këtë zonë u zhvilluan edhe betejat e 7, 16 dhe 28 korrikut 1998, ku ranë dëshmorët Behamir Memaj dhe Nexhat Fanaj, si dhe beteja e madhe e 1–5 shtatorit 1998, gjatë së cilës ranë 26 dëshmorë dhe shumë martirë në disa fshatra të rajonit.
Në fshatin Jeshkovë, më 11 mars 1999, ranë heroikisht komandanti i njësisë speciale Agim Shala, së bashku me babanë e tij Avdiun dhe kushëririn Besim Shala, si dhe Fatmir Berisha. Sipas autorit të shkrimit, Nuredin Shala kishte vazhduar luftën për çlirimin e Kosovës edhe pse familja e tij kishte dhënë pesë anëtarë për liri – tre dëshmorë dhe dy martirë.
Në këtë betejë ranë gjithsej 18 dëshmorë. Dhjetë prej tyre ishin nga njësia speciale e UÇK-së, e udhëhequr nga komandanti Hysen Rexhepi dhe zëvendëskomandanti Hajdar Shala. Mes tyre përmenden edhe Bashkim Suka, Feriz Susuri, Besnik Kastrati, Skender Latifi, Alajdin Xhezairi, Ymredin Qengaj, Hamit Thaçi dhe Tahir Gashi.
Ndërkohë, nga njësiti i Vërrinit ranë edhe luftëtarët me në krye komandantin Ymer Shala (Kaçaku): Nuredin Shala, Bajram Shala, Ilmi Shala, Liman Shala, Rexhep Buduri, Shehadin Gashi dhe Musli Gashi.
Po atë ditë, në Malësi të Vërrinit ranë Bali Avdaj dhe Shemsidin Shala, ndërsa në fshatin Hoqë e Qytetit ra Fehmi Shala.
Edhe pas shumë vitesh, familjarët e tyre vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe kthimin e eshtrave në Kosovë.