Komiteti i Rajoneve të Bashkimit Evropian, para disa ditëve, bëri të ditur se, për të harmonizuar terminologjinë e përdorur për Kosovën me atë të Parlamentit Evropian, ka hequr asteriskun dhe shënimin në fund të faqes.
E lidhur me këtë ka reaguar sot në rrjetin social X, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
“Ne mirëpresim vendimin e Komitetit të Rajoneve për të ndërprerë përdorimin e ‘Kosovo*’ dhe fusnotës shoqëruese në dokumentet e tij publike. Ky hap e rreshton Komitetin me Parlamentin Evropian dhe pasqyron një qartësi më të madhe institucionale sa i përket perspektivës evropiane të Kosovës. Falënderime të veçanta për Gillian Coughlan, Kryetare e Grupit të Punës për Kosovën në Komitetin e Rajoneve të Bashkimit Evropian dhe Raportuese për Zgjerimin, për mbështetjen e saj parimore dhe angazhimin e vazhdueshëm për Kosovën” – ka shkruar Konjufca.





