LAJME

Serbia importon më së shumti armë në rajon, larg nga të gjitha shtetet

Serbia importon më së shumti armë në rajon, larg nga të gjitha shtetet
TV Prizreni
TV Prizreni
11 Mars 2026, 10:41

Serbia ka importuar më së shumti armë të sofistikuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor në pesë vjetët e fundit, sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Kërkime dhe Paqe (SIPRI). Edhe pse të gjitha shtetet kanë rritur shpenzimet ushtarake, dallimi në sasi të blerjes mbetet i madh.

Serbia renditet e 37-ta në botë për importe të sistemeve komplekse të armëve, duke lënë prapa edhe shtetet tjera të Bashkimit Evropian, si Kroacia e Bullgaria.

Katarina Gjokiq, hulumtuese në SIPRI, ka thënë për “Deutsche Welle” në Kroaci se Serbia u ka prirë investimeve kryesisht për të ripërtërirë armët e trashëguara nga Jugosllavia dhe se edhe tensionet me Kosovën “ka gjasa të kenë nxitur më shumë mendimin se një arsenal më i mirë është kartë e fortë në negociata me akterët ndërkombëtarë”.

Në periudhën 2020-2024, vlera reale e buxhetit ushtarak në Serbi ishte gjashtë herë më e lartë se ajo e Shqipërisë, që është shpenzuesi i dytë më i madh në Ballkanin Perëndimor.

Sa shpenzuan shtetet e rajonit më 2024, për kokë banori, sipas vlerësimeve të SIPRI-it:

  1. Serbia – 343.7 dollarë për kokë banori
  2. Mali i Zi – 234.8 dollarë për kokë banori
  3. Maqedonia e Veriut – 193.5 dollarë për kokë banori
  4. Shqipëria – 191.1 dollarë për kokë banori
  5. Kosova – 97.9 dollarë për kokë banori
  6. Bosnjë – Hercegovina – 67 dollarë për kokë banori

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së fundmi ka njoftuar se shteti i tij do të dyfishojë kapacitetin ushtarak për një vit e gjysmë.

Sipas të dhënave të SIPRI-t, Serbia ka importuar sisteme komplekse të armëve nga 13 shtete të ndryshme në pesë vjetët e fundit. Furnizuesi kryesor ishte Kina, kryesisht për shkak të sistemeve mesatare të mbrojtjes ajrore, ndërsa pjesa tjetër përbëhet me donacione të mëdha nga Rusia dhe Bjellorusia. Sipas SIPRI-t, të dhënat mund të ndryshojnë pas kontratave që Serbia ka nënshkruar me Francën e Izraelin.

Shtetet tjera të rajonit importojnë dukshëm më pak. Shqipëria është e dyta në rajon, por e 103-ta në botë. Sipas SIPRI-t, importet e Shqipërisë janë gjashtë herë më të ulëta se të Serbisë. Kosova është e 118-ta, Maqedonia e Veriut e 138-ta, Bosnja-Hercegovina e 144-ta dhe Mali i Zi i 152-ti nga 166 blerës të armëve./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika