Qeveria e Kosovës është pajtuar t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe t’ua njohë letërnjoftimet pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumenteve kosovare në Ligjin për të huaj dhe atë për automjetet, që do të fillojnë të zbatohen plotësisht nga e diela.
Zotimi i Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti vjen pas një takimi në Prishtinë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, të shtunën në mëngjes.
Këto dy ligje filluan së zbatuari më 15 janar por vetëm si një fushatë informuese për procedurat dhe rregullat e zbatimit të këtyre ligjeve.
Ato do të hyjnë plotësisht në fuqi të dielën dhe kërkojnë që të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.
Pas takimit të së shtunës, kjo nuk do të vlejë tani për tani për serbët e Kosovës pa dokumente kosovare, pasi ata kanë mundësi të marrin leje të përkohshme qëndrimi prej 12-muajsh, si dhe të bartin si mjet identifikimi letërnjoftimet e lëshuara nga struktura të jashtëligjshme në vend.
Duke folur në një konferencë për media me Sorensenin dhe shefin e zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, Kurti u zotua se Qeveria do të vazhdojë punën për shkrirjen e plotë të sistemit arsimor dhe shëndetësor serb në sistemin e vetëm të Kosovës.
Ai tha se është pajtuar për të mundësuar leje të përkohshme qëndrimi për punonjësit shëndetësorë dhe ata të arsimit, në mënyrë që serbëve lokalë të mos u mungojnë shërbimet bazike derisa Kosova t’i shkrijë ato plotësisht brenda sistemit të vet.
“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit akademik dhe shëndetësor të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve, këto lista pastaj do të shërbejnë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë te Ministria e brendshme e Kosovës”, tha Kurti.
Ai theksoi se e njëjta vlen edhe për studentët serbë që qëndrojnë në Kosovë për studime, për të cilët krerët komunalë do të ofrojnë listën e tyre me hollësi për fushën e studimeve për t’iu dhënë leje të përkohshme qëndrimi me afat 12-mujor, dhe me mundësi vazhdimi nëse i vazhdojnë studimet.
“Në të njëjtën kohë, Ministria e Arsimit, në bashkërendim me Sorensenin dhe me ofruesit e këtyre shërbimeve publike, fillojnë procedurat e domosdoshme dhe përcaktojnë afatet për inkorporim të plotë, përfshirë licencimin e institucioneve dhe të stafit të angazhuar”, tha Kurti.
Ndërkohë, Sorensen tha se pati takim “të mirë” me Kurtin dhe se e mirëpret angazhimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe vendimin e saj të dhjetorit për të zbatuar gradualisht Ligjin për të huajt dhe atë për automjetet, gjë që mundëson një fushatë gjithëpërfshirëse dhe të qasshme informuese për ata që preken.
“E konsideruam si prioritet kyç që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore”, tha Sorensen.
Ai tregoi se Kosovës iu kërkua të lejojë përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara jo më vonë se 15 mars 2026 nga Serbia për ata që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative.
Kurti njoftoi se Qeveria e tij do ta hapë një dritare tremujore për t’ua mundësuar qytetarëve të kombësisë serbëve për t’i “regjistruar faktet”.
“Në këtë periudhë aplikantëve do t’iu lejohet ekskluzivisht përdorimi si mjet identifikimi i letërnjoftimeve të lëshuara nga strukturat ilegale, ndërsa Ministria e Brendshme do ta bëjë regjistrimin e këtyre fakteve brenda sistemit qendror të regjistrit civil të Kosovës”, theksoi Kurti.
Zbatimin e plotë të ligjeve për të huajt dhe për automjetet e është kundërshtuar vazhdimisht nga pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, përfaqësuesit e tyre politikë dhe organizatat e shoqërisë civile.
Ata argumentojnë se këto masa do të kishin ndikim negativ te komunitetet pakicë, si dhe te sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, që në zonat me shumicë serbe funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë./REL/