Policia e Kosovës ka njoftuar se njësitë policore të NJRTRR-Prizren, në kuadër të aktiviteteve operacionale të parashikuara sipas planit operativ “Roadpol – Mars 2026”, kanë intensifikuar veprimtaritë në terren që nga data 09.03.2026.
Sipas Policisë, fokus i këtyre aktiviteteve është kontrollimi i ngasësve për respektimin e përdorimit të rripit të sigurimit, si një masë jetike për mbrojtjen e jetës dhe sigurinë në komunikacion.
“Ky aksion është duke u realizuar edhe sot dhe do të vazhdojë deri më 15.03.2026, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit dhe disiplinës së pjesëmarrësve në trafik. Përmes këtyre kontrolleve, Policia e Kosovës synon të ulë numrin e aksidenteve dhe të sigurojë një mjedis më të sigurt për ngasësit, pasagjerët dhe këmbësorët” – thuhet në njoftim.
Tutje, Policia ka apeluar tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të përdorin gjithmonë rripin e sigurimit.
“Vetëm përmes përgjegjësisë së përbashkët mund të arrihet një nivel më i lartë i sigurisë rrugore. Siguria në rrugë është përgjegjësi e secilit – bashkë krijojmë rrugë më të sigurta!” – përfundon njoftimi.