Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për 30 ditë sanksionet me qëllim që vendet të blejnë naftë dhe produkte nafte ruse të sanksionuara që aktualisht janë të bllokuara në det, në atë që sekretari i Thesarit, Scott Bessent, e ka quajtur hap për të stabilizuar tregjet globale të energjisë të trazuara nga lufta me Iranin, ka raportuar më 13.03.2026, agjencia e lajmeve, Reuters.
Çmimet e naftës u ulën në Azi të premten në mëngjes, më 13.03.2026, pas njoftimit të heqjes së përkohshme nga SHBA-ja, që sipas të dërguarit presidencial të Rusisë, Kirill Dmitriev, do të ndikonte në 100 milionë fuçi nafte të papërpunuar ruse, të barabartë me pothuajse një ditë prodhimi global.
Ky veprim, zbutja e dytë e rëndësishme e sanksioneve të SHBA-së të lidhura me luftën në Ukrainë, ishte përpjekja e fundit nga administrata e presidentit Donald Trump për zbutjen e çmimeve të energjisë pasi sulmet e SHBA-ja dhe Izraelit ndaj Iranit paralizuan transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë me 32 vende anëtare ka bërë të ditur të enjten, më 12.03.2026, se lufta në Lindjen e Mesme po krijon ndërprerjen më të madhe të furnizimit me naftë në histori.
Heqja vlen deri më 11 prill
Masa zbutëse e lëshuar nga Uashingtoni më 12.03.2026, autorizon dorëzimin dhe shitjen e naftës bruto ruse dhe produkteve të naftës të ngarkuara në anije më ose para 12.03.2026 dhe të vlefshme deri në mesnatën 11.04.2026, sipas kohës lokale amerikane, sipas tekstit të masës së postuar në faqen e internetit të Departamentit të Thesarit.
Ky veprim pasqyron shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë se rritja e çmimeve të naftës pas gati dy javësh sulmesh amerikane dhe izraelite ndaj Iranit do të dëmtojë bizneset dhe konsumatorët amerikanë përpara zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit, kur republikanët e Trumpit shpresojnë të mbajnë kontrollin e Kongresit.
Bessent, në një deklaratë në X të lëshuar disa orë pasi çmimet e naftës referuese u rritën mbi 100 dollarë për fuçi, ka shkruar se masa ishte “e përshtatur ngushtë” dhe “afatshkurtër” dhe nuk do të ofrojë përfitime të konsiderueshme financiare për qeverinë ruse.
“Rritja e përkohshme e çmimeve të naftës është një përçarje afatshkurtër dhe e përkohshme që do të rezultojë në një përfitim masiv për kombin dhe ekonominë tonë në planin afatgjatë”, ka shrkuar Bessent në deklaratë, duke i bërë jehonë deklarimeve të presidentit Trump.
Edhe pse lehtësimi i sanksioneve pritej të rriste furnizimet botërore me naftë, ai gjithashtu mund të ndërlikojë përpjekjet e Perëndimit për ta privuar Rusinë nga të ardhurat për luftën e saj në Ukrainë dhe ta vërë Uashingtonin në kundërshtim me aleatët e tij.
Aleatët europianë kundër zbutjes së sanksioneve ndaj Rusisë
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pasi pati një telefonatë me udhëheqësit e G7 të mërkurën që ta diskutonte ndikimin e luftës së Iranit në tregjet e naftës dhe gazit, ka deklaruar se tani nuk ishte koha për të lehtësuar sanksionet kundër Rusisë.
Ministri britanik i Departamentit të Energjisë, Michael Shanks, i ka deklaruar radios BBC të premten se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk do t’i lehtësojë fare sanksionet ndaj Rusisë, duke e përshkruar kohën si “moment kritik në agresionin rus kundër Ukrainës”.
Zbutja e sanksioneve erdhi pas një telefonate ndërmjet Trump dhe homologut rus, Vladimir Putin, më 09.03.2026 dhe një vizite të mëvonshme në SHBA nga Dmitriev për të diskutuar krizën aktuale energjetike me një delegacion amerikan që përfshinte të dërguarin special të Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner.
“Në sfondin e krizës në rritje të energjisë, lehtësimi i mëtejshëm i kufizimeve në furnizimin me energji ruse duket gjithnjë e më i pashmangshëm, pavarësisht rezistencës nga disa burokratë të Brukselit”, ka shkruar Dmitriev në një postim në aplikacionin e mesazheve Telegram të premten./Kallxo.com