LAJME

Sorenseni me vizitë urgjente për Ligjin për të huajt

Sorenseni me vizitë urgjente për Ligjin për të huajt
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Mars 2026, 20:38

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta presë të shtunën (nesër) në takim të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen. Burime diplomatike evropiane kanë pohuar se arsyeja e kësaj vizite urgjente është afati i zbatimit të Ligjit për të huajt.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, takimi do të mbahet nga ora 08:30 në ndërtesën e Qeverisë. “Pas takimit do të ketë deklarim për media”, thuhet në njoftim.

Komunikata e Qeverisë nuk ka ofruar detaje të tjera.

Por e diela e kësaj jave do të jetë dita e fundit e periudhës së fushatës informuese lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete.

Në kuadër të kësaj fushate, Policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme që nga 15 janari kanë lëshuar fletushka dhe njoftime për publikun në gjuhët shqipe, serbishte dhe anglishte, ndërsa kryeministri Albin Kurti i pati njoftuar edhe ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Kosovë lidhur me nismat ligjore.

Bazuar në afatet e përcaktuara, nga e hëna e ardhshme shtetasit e huaj nuk do të lejohen të qëndrojnë më shumë sesa tre muaj në Kosovë, pa u pajisur me leje qëndrimi apo pune.

Për shtetasit e huaj që i shkelin kushtet e qëndrimit në Kosovë, Ligji për të Huajt parasheh masa të rrepta nga gjoba e deri tek urdhri për largim nga vendi.

E nisja e zbatimit të Ligjit për Automjetet parasheh ndalesën e ngasjes së automjetit me targa të huaja nga një shtetas i Kosovës, pa prani të pronarit ligjor edhe kur ai i jep autorizim për këtë.

Nga këto politika, më së shumti pritet të preken shtetasit e Serbisë dhe ata të Shqipërisë.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk janë përgjigjur nëse këto dy ligje do të fillojnë të zbatohen në datën e caktuar apo nëse zbatimi i plotë i tyre do të shtyhet për herë të tretë.

Këto ligje janë kundërshtuar nga autoritetet në Serbi dhe nga Lista Serbe.

E subjekti opozitar në Serbi, Partia e Re Demokratike, ka paralajmëruar për të shtunën protestë nga Rashka në Jarinjë me sloganin: “Serbët nuk janë të huaj brenda shtetit të tyre”.

“Me rastin e fillimit të zbatimit të Ligjit për të Huajt, të miratuar nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, i cili – sipas këtij mesazhi – është i drejtuar kundër popullit serb që jeton në Kosovë, ju ftojmë të gjithëve në një tubim mbështetjeje për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë! Tani ata kanë nevojë për ne më shumë se kurrë!”, thuhet në njoftimin e kësaj partie. Ky subjekt ka paralajmëruar bllokim dyorësh të qarkullimit në pikën kufitare Jarinjë, duke nisur nga ora 12 e 44, si referencë për rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën.

Kundërshtimet nga Serbia për ligjet ndërlidhen me çështjen se në veri ka ende banorë serbë që nuk janë pajisur me dokumente të Kosovës, e edhe shtetas të Serbisë që punojnë në Kosovë e që do të detyrohen të marrin leje pune nga institucionet e Kosovës.

Një tjetër shkak është prania e madhe e veturave me targa të Serbisë, e të cilat, banorë në veri do të detyrohen t’i nxjerrin nga vendi, çdo tre muaj.

Ligji për të huajt është miratuar më 2013. Ai për automjetet më 2017. Zbatimi i tyre u paralajmërua për fundin e vitit të kaluar, ndërsa më pas u shty për janar. Autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar fushatë informuese për disa javë në atë periudhë. Pas kësaj, u shty sërish deri më 15 mars.

Për Sorensenin do të jetë vizita e dytë në Prishtinë brenda pak kohëve. Ai ishte në kryeqytetin e Kosovës edhe në fund të shkurtit, pasi Qeveria e re mori detyrën. U takua me kryeministrin Kurti dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca./koha.net/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika