Deri në Gjykatën Kushtetuese kanë paralajmëruar se do të ankohen partitë e komuniteteve joshumicë, pas dyshimeve për manipulim me vota nga Lista Serbe.
Përfaqësuesit e tyre pretendojnë se me qëllim të rritjes së numrit të mandateve në Kuvend, Lista Serbe ka ndihmuar dy subjekte të tjera, njëra boshnjake e tjera rome që të marrin vota.
Albert Kinolli, nga Partia e Bashkuar Rome, ka thënë se janë të shqetësuar me përfaqësimin që do të kenë në Kuvend, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Sipas tij, me veprimin e tyre, Lista Serbe ka cenuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë.
“Nuk është në pyetje individi, nuk është në pyetje, vetëm një komunitet por tani janë në pyetje procese shumë më të mëdha në pyetje është edhe vet shteti i Kosovës dhe cenueshmëria e kushtetutës apo shkelja e kushtetutës për shkak se ne jemi kategori kushtetuese dhe nëse nuk respektohet vota e lirë e sovranit atëherë edhe vendet e garantuara me kushtetutë nuk do të kishin më arsye të ekzistonin”, ka deklaruar kryetari i PBRK-së, Albert Kinolli.
Yll Zekaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se institucionet kompetente duhet të kenë kujdes në trajtimin e ankesës së partive joshumicë.
Sipas Zekajt, në rast se ankesa arrin deri në Kushtetuese e kjo gjykatë aprovon atë, atëherë mandatet e marra në mënyrë jo kushtetuese do t’iu ktheheshin atyre që iu takojnë
“Gjykata Kushtetuese obligon KQZ-në që të marrë mandatet e atyre që kanë bërë, e kanë fituar mandatin në mënyrë kundër kushtetuese e në këtë mënyrë, numërohen mandatet që janë marrë në mënyrë të ligjshme dhe ai që ka vota më shumë e merr mandatin për të përfaqësuar komunitetin të cilit i takon”, tha Yll Zekaj, hulumtues në IKD.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, subjektet politike kanë të drejtë të ankohen fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe në Gjykatën Supreme, që është instanca e fundit para se KQZ-ja të mund të certifikojë rezultatet.