LAJME

OVL e UÇK-së kritikon Gjykatën Speciale: U ngrit për të gjykuar vetëm pjesëtarët e UÇK-së

OVL e UÇK-së kritikon Gjykatën Speciale: U ngrit për të gjykuar vetëm pjesëtarët e UÇK-së
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Mars 2026, 15:37

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar lidhur me procesin që çoi në krijimin dhe funksionimin e Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke ngritur çështjen e legjitimitetit dhe perceptimit publik ndaj kësaj gjykate.

Sipas reagimit të organizatës, procesi i themelimit të kësaj gjykate nuk erdhi si rezultat i një reforme të brendshme të sistemit të drejtësisë në Kosovë, por nisi pas raportit të paraqitur në vitin 2011 nga senatori zviceran Dick Marty në Këshilli i Evropës, raport që përmbante akuza të rënda ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë pretendime për trafikim organesh.

Sipas OVL-UÇK-së, ky raport krijoi presion të madh ndërkombëtar ndaj Kosovës, duke e vendosur vendin përballë një realiteti të ri politik.

“Mandati i Gjykatës ishte i kufizuar dhe u fokusua vetëm tek pretendimet për “krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së”. Në planin politik dhe moral, kjo ka prodhuar perceptimin e një drejtësie të fragmentuar. Në opinionin publik shqiptar, pamja mbetet e thjeshtë: një mekanizëm i posaçëm ndërkombëtar është ngritur për të gjykuar vetëm njërën palë, shqiptarët. Ky perceptim është thelluar edhe më tej nga bashkëpunimi i ngushtë i institucioneve serbe me Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në Hagë”.

Në reagim përmenden edhe arrestimet e vitit 2020, kur disa nga ish-krerët e lartë të UÇK-së u arrestuan në kuadër të hetimeve të kësaj gjykate.

“Arrestimet e vitit 2020, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe të tjerëve, shënuan momentin kur procesi mori një dimension të fuqishëm simbolik. Përmes operacioneve të EULEX-it, u kryen arrestime me dhjetëra makina, forca speciale të maskuara dhe të armatosura rëndë, automjete të blinduara. Personave që publikisht kishin deklaruar gatishmëri për t’u dorëzuar vullnetarisht, iu lidhën duart sikur të ishin kriminelë në arrati. Arrestime nëpër rrugë, konfiskime telefonash, ndalesa 24-orëshe, kontrolle të shtëpive me ekspozim publik, një spektakël force e shfrenuar. Edhe nëse këto masa mund të arsyetohen me standarde sigurie, imazhi publik ndikoi thellë në opinionin shoqëror. Drejtësia nuk perceptohet vetëm përmes dokumenteve ligjore, por edhe përmes mënyrës se si zbatohet në terren”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika