Dy persona të kërkuar nga institucionet e drejtësisë në Kosovë janë ekstraduar nga Italia gjatë dy ditëve të fundit, pasi u arrestuan nga autoritetet italiane në bazë të fletarresteve ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ekstradimet janë realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante të policisë dhe institucionet e drejtësisë.
Të enjten, më 12.03.202, njoftohet se është realizuar ekstradimi i të kërkuarit me inicialet A.B., i cili kërkohej nga autoritetet kosovare për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Ndërkaq, një ditë më vonë, më 13.03.2026, është ekstraduar edhe personi me inicialet Xh.K., i cili kërkohej për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Policia bëri të ditur se të dy personat ishin arrestuar më herët nga autoritetet italiane, pasi ndaj tyre ishte lëshuar fletarrest ndërkombëtar përmes INTERPOL-it nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
“Të dy ekstradimet u realizuan bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre Italiane” – thekson Policia.
Pas kthimit në Kosovë, të dyshuarit janë dorëzuar tek njësitë përkatëse policore në rajonet e Prizrenit dhe Mitrovicës për procedura të mëtejshme ligjore.