Atmosfera në Tiranë është ndezur para ndeshjes mes Shqipërisë dhe Anglisë, që do të luhet në orën 18:00 në stadiumin “Air Albania”. Mijëra tifozë janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të veshur kuqezi dhe me flamuj, duke e kthyer kryeqytetin në një festë të vërtetë futbolli.
Të dyja skuadrat i kanë arritur objektivat e tyre në Grupin K të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Anglia kryeson grupin me 21 pikë deri tani dhe e ka siguruar vendin në Botëror, ndërsa Shqipëria, me 14 pikë, ka siguruar për herë të parë në histori një vend në play-off. Më 20 nëntor, Shqipëria do të mësojë kundërshtarin e saj në gjysmëfinalen e play-off-it.
Trajneri Sylvinho ka bërë disa ndryshime krahasuar me sfidën ndaj Andorrës, duke zbuluar edhe formacionin zyrtar.
Shqipëria (4-3-3):
Strakosha në portë; Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Aliji në mbrojtje
Asllani, Ramadani, Laçi do të drejtojnë mesfushën
Arbër Hoxha, Myrto Uzuni dhe Nedim Bajrami do të jenë në sulm.
