LAJME

BQK hap aktivitetet e Javës Globale të Parasë 2026, ndan çmimet e garave dhe shpall “Çmimin për Ekonomistë të Rinj”

BQK hap aktivitetet e Javës Globale të Parasë 2026, ndan çmimet e garave dhe shpall “Çmimin për Ekonomistë të Rinj”
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Mars 2026, 13:02

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) hapi aktivitetet e Javës Globale të Parasë (GMW) 2026, një iniciativë globale që synon promovimin e edukimit financiar dhe zhvillimin e aftësive financiare tek të rinjtë. Si pjesë e ceremonisë hapëse, u ndanë edhe çmimet e konkursit edukativ “Stock Market Learning Competition”. Në këtë aktivitet morën pjesë drejtori Menaxhues i Sparkassenstiftung, Niclaus Bergmann, zëvendësambasadori nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher, si dhe studentë, përfaqësues të universiteteve dhe partnerë institucionalë.

“Java Globale e Parasë është një fushatë ndërkombëtare e koordinuar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), e cila bashkon bankat qendrore, institucionet financiare dhe institucionet arsimore për të rritur ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e edukimit financiar dhe vendimmarrjes së përgjegjshme financiare. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është pjesë e kësaj iniciative për të 13-tin vit me radhë” – thuhet në njoftimin e BQK-së.

Sipas njoftimit, në fjalën e tij në ceremoninë hapëse, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, theksoi rëndësinë e edukimit financiar për fuqizimin e qytetarëve dhe për zhvillimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Ai nënvizoi se BQK mbetet e përkushtuar në promovimin e edukimit financiar, mbrojtjen e konsumatorit dhe rritjen e përfshirjes financiare në vend.

Siç bëhet e ditur në njoftim, guvernatori Ismaili theksoi se gjatë viteve, BQK ka ndërmarrë një sërë iniciativash për të rritur ndërgjegjësimin financiar të qytetarëve. Sipas tij, ndër këto iniciativa përfshihet platforma për krahasimin e produkteve dhe shërbimeve financiare, e cila ofron transparencë mbi tarifat dhe kushtet e institucioneve financiare, si dhe një sërë aktivitetesh edukative me nxënës dhe studentë nga institucionet arsimore në të gjithë vendin. BQK gjithashtu thotë se ka zhvilluar iniciativa për promovimin e përfshirjes financiare, përfshirë aktivitete që synojnë përmirësimin e qasjes në shërbime financiare për personat me aftësi të kufizuara, si dhe programe bashkëpunimi me universitete dhe institucione arsimore për të nxitur interesimin e të rinjve për ekonominë dhe financat.

Siç bën të ditur BQK, si pjesë e ceremonisë së sotme u ndanë çmimet për fituesit e Stock Market Learning Competition, një garë edukative e zhvilluar në bashkëpunim me German Sparkassenstiftung for International Cooperation.

“Kjo garë u mundësoi studentëve nga fakultete ekonomike të Kosovës të përjetojnë në mënyrë praktike funksionimin e tregjeve financiare përmes simulimit të tregtimit në bursën virtuale të Stuttgartit. Në këtë garë morën pjesë 42 studentë nga tetë fakultete të ekonomisë dhe biznesit, të cilët përmes kësaj përvoje zhvilluan njohuri dhe aftësi praktike në fushën e investimeve dhe tregjeve financiare” – thuhet në njoftim.

Gjithashtu, bëhet e ditur se u ndanë edhe çmimet për fituesit e kuizit financiar për nxënësit e shkollave të mesme, ku shpërblehen 6 nxënës nga shkolla të ndryshe më të Kosovës.

Në kuadër të aktiviteteve të Javës Globale të Parasë 2026, BQK njoftoi gjithashtu për hapjen e thirrjes për aplikim për çmimin “Çmimi për Ekonomistët e Rinj”, i cili synon të inkurajojë studentët dhe studiuesit e rinj të kontribuojnë me punime kërkimore inovative në fushën e ekonomisë dhe financave.

Sipas njoftimit, paraprakisht, guvernatori i BQK-së zhvilloi gjithashtu një takim me drejtorin Menaxhues të German Sparkassenstiftung for International Cooperation, Niclaus Bergmann, gjatë të cilit thuhet se diskutuan mbi zhvillimet në sektorin financiar në Kosovë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet BQK-së dhe Sparkassenstiftung në fushën e edukimit financiar dhe zhvillimit të kapaciteteve institucionale.

Siç bëhet e ditur, guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe partneritetin e vazhdueshëm të Sparkassenstiftung, përfshirë bashkëpunimin në organizimin e garës Stock Market Learning Competition dhe iniciativave të tjera që kontribuojnë në avancimin e edukimit financiar në Kosovë.

Gjatë kësaj jave, BQK njofton se do të zhvillojë edhe një sërë aktivitetesh edukative në bashkëpunim me institucione arsimore dhe partnerë të sektorit financiar, duke përfshirë gara dhe aktivitete ndërgjegjësuese për nxënës dhe studentë në të gjithë vendin.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika