Kanë mbetur edhe dy javë deri në përfundimin e afatit për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit rikujton opinionin publik dhe të gjitha subjektet deklaruese se është duke vijuar procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 (1 janar – 31 dhjetor 2025), i cili ka filluar më 1 mars 2026 dhe përfundon më 31 mars 2026.
Në përputhje me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave, të gjithë personat zyrtarë në Republikën e Kosovës që i nënshtrohen këtij obligimi ligjor janë të obliguar ta kryejnë deklarimin e pasurisë brenda afatit të përcaktuar me legjislacionin në fuqi.
Deri më tani, pas dy javësh nga fillimi i procesit të deklarimit, obligimit ligjor i janë përgjigjur 18.5 %, përkatësisht 1920 zyrtarë publikë. Ndërkaq, numri i përgjithshëm i subjekteve deklaruese që i nënshtrohen deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë për këtë cikël është 10340 zyrtarë të lartë publikë.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) u bën thirrje edhe 8420 subjekteve deklaruese që ende nuk e kanë kryer deklarimin, që ta përmbushin këtë obligim ligjor brenda afatit të përcaktuar, deri më 31 mars 2026, duke dëshmuar përgjegjësi institucionale, transparencë dhe respekt për publikun.
Muaji mars shënon periudhën e deklarimit të rregullt të pasurisë, një proces i rëndësishëm që kontribuon në forcimin e integritetit institucional, transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Deklarimi në kohë i pasurisë forcon kulturën e integritetit në institucionet tona dhe njëkohësisht kontribuon në shmangien e pasojave dhe sanksioneve të parapara në rast të mosrespektimit të obligimit ligjor” – theksoi drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj.