Adem Jashari lindi në Prekaz te Drenicës, më 28 nëntor 1955. Këtë vit, Shaban Jasharit babait të tij, krahas Festës se Flamurit, që e festonte per çdo mot, ju shtua edhe një festë tjetër – Ditëlindja e djalit të cilin e pagëzoi: Adem. Dhe ishte e natyrshme që mbi djepin e posa të lindurit në këtë ditë, djepi të mbulohej me flamurin e Skënderbeut. Adem Jashari erdhi në këtë botë me të vetmin ndryshim nga gjithë moshatarët e tij se ky u lind në ditën e fitoreve më të lavdishme të popullit shqiptar, në Ditën e 28 Nëntorit. Kështu nisi jeta në vazhdimësi në Prekazin e lavdive të përsëritshme. Demonstratat e vitit 1981, ngjarjet e Pranverës së madhe studentore të vitit 1981, të cilat u shndërruan në Lëvizje të madhe popullore, që me vite mbajtën të ndezur flakadanin e lirisë e të çlirimit të kombit, patën ndikim magjik në brezin që formuan, organizuan dhe udhëhoqën politikisht dhe ushtarakisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Adem Jashari dhe çeta e tij ka qenë dhe ka mbetur bërthama themeltare e UÇK-së. Në histori ndodh edhe të ndodhin ngjarje të rastsishme, por Adem Jashari, çeta dhe familja e tij nuk janë rastësi e historisë, ata me ndërgjegje e vendosmëri u përgatitën për kthesën vendimtare të historisë sonë më të re. Adem Jashari, ndryshimet që po bëheshin në vitet 90-ta, i shihte me optimizëm, prandaj sinqerisht e vendosmërisht nisi angazhimin e tij në sferën ushtarake, për organizimin e luftës çlirimtare. Ishte mëngjesi i hershëm i 30 dhjetorit 1991, ku armiku me një makineri të tërë policore kishte rrethuar Jasharajt dhe kërkuan dorëzimin e Adem Jasharit dhe Jasharëve tjerë. Adem Jashari me vëllezër e shokë apelit të armikut për dorëzim iu përgjigjen me breshëri armësh nga shumë drejtime. Ishte e çartë, çeta e Prekazit kishte vendosur epokën e luftës çlirimtare, ata mes jetës se burgut e të poshtërimit kishin zgjedhur jetën e lavdisë e të lirisë, me të gjitha pasojat që mund t’i kishte. Vetëm të guximshmit nëpër kohë të ndryshme i kanë ndërruar rrjedhat e historisë, kështu ndodhi edhe me Adem Jasharin dhe çetën e tij. Kështu nisin aksionet luftarake mbi policinë e armikut, fillimisht në Drenicë, e për t’u përhapur më vonë në Llap e Dukagjin, në Drini e kudo në Kosovë.
UÇK-ja po bëhëj shpresë për popullin dhe tmerr për armikun, armikut po i rrëshqiste dheu nën këmbë, pasigurinë e shihte te çdo kaçube. Ai po bëhej legjendë. Ai ishte kudo ku sulmohej armiku, ai ishte në çdo cep të Kosovës. Adem Jashari dhe gjithë Jasharajt nuk e donin ikjen e poshtërimin, ata e dëshironin qëndresën, e donin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës së ëndërruar në shekuj. Armiku pas disfatës së 22 janarit kishte filluar përgatitjet për një sulm të përmasave të mëdha policore dhe ushtarake, dhe ky sulm do të fillojë në mëngjesin e hershëm të 5 marsit 1998. Këtë herë forca të mëdha ushtarake dhe policore e kishin rrethuar Prekazin, me orientim kryesor Lagjen e Jasharëve. Lufta për eliminimin e Jasharëve ishte e rreptë. Armiku Prekazin e kishte vendosur në rreth të hekurtë dhe sulmonte nga shumë anë me armatim të rëndë. Pas një rezistence të gjatë dhe herioke, armiku arriti të djegë e shkatërrojë Lagjen e Jasharëve, por jo kurrë vendosmërinë për të vazhduar luftën për liri e pavarësi. Adem Jashari deri në vdekje luftoi e këndoi, dhe vdekja e Adem Jasharit nuk është vdekje por përjetësi. Lufta për Prekazin që e ashpër.
Qëndresa ishte e madhe. Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi prijetarin e saj. Kosova fitoi komandantin legjendar. Me aktin e rënies se Jasharëve, Kosova mundi frikën dhe për lirinë e pavarësinë u hapen shtigje të reja. Rënia heroike e Adem Jasharit i dha shtytjen më të fuqishme mobilizimit, strukturimit dhe profesionalizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ngjarjet e fillimit të marsit të vitit 1998 hynë në historinë më të re të Kosovës me tërë tragjedinë dhe madhështinë e vet, duke marrë shenjën e sakrificës sublime të njeriut dhe si të tilla u shndërruan në epopenë e lavdishme të UÇK-së.
Sot në 26 vjetorin e rënies në altarin e lirisë, po e përkujtojmë veprën e kryekomandantit të UÇK-së Adem Jasharit, heroit të Kosovës, figurën madhështore të udhëheqësit dhe të frymëzuesit tonë për liri, i cili skepticizmin dhe vetëmohimin e tij, dhe të familjes së tij i kapërceu kufijtë e reales dhe të mundshmes duke u shndërruar në frymëzim për brezin tonë dhe për brezat që do të vijnë.