Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës po vazhdon me thirrjet që shtetasit e Republikës së Kosovës dhe bashkëatdhetarët nga diaspora t’i shmangin udhëtimet në dhe nëpërmes Serbisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo për shkak se qytetarët e Kosovës po rrezikohen të ndalen nga Serbia, me akuza të motivuara politikisht.Ministria ka sqaruar se këto veprime janë në vazhdën e përpjekjeve të Serbisë për të sabotuar Republikën e Kosovës, duke lëshuar urdhra të rrejshme arrestimesh dhe duke manipuluar kanalet e tyre mediatike përmes propagandës së vazhdueshme raciste.
Sot gjatë ditës Serbia e ka liruar Agim Gjocajn, i cili u arrestua rreth dy javë më parë në mënyrë flagrante gjatë udhëtimit të tij transit nëpër territorin e Serbisë.MPJD bën thirrje që edhe shtetasi kosovar, Nezir Mehmetaj të lirohet, pasi që po vazhdon të mbahet padrejtësisht në paraburgim tash e dhjetë muaj.“MPJD bën thirrje që njëherë e përgjithmonë të ndalohet një praktikë e tillë e jashtëligjshme, e ndalimit të pabazë të shtetasve kosovarë të cilët kalojnë transit në territorin e Serbisë”.
“Një sjellje e tillë është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, marrëveshjen e lëvizjes së lirë të arritur në Bruksel, në vitin 2011 dhe në kundërshtim të plotë me frymën e marrëveshjes së zotimeve të Washingtonit për Normalizim Ekonomik”, thuhet në njoftimin e tyre.