LAJME

Osmani: Ne jemi të bindur që dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën

Osmani: Ne jemi të bindur që dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Mars 2026, 21:40

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se mirëpret cilindo vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e saj për shpërndarjen e Kuvendit, por megjithatë tha se nuk është pejgamber që të mos bëjë gabime.

“Cilido që të jetë vendimi për ne është i mirëseardhur. Ky nuk ka qenë vendimi që e kam marrë unë vet por pasi jam konsultuar me dhjetëra jurist. Ne jemi të bindur që dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës megjithatë unë nuk jam pejgamber që të mos bëjë gabime”- tha Osmani në një intervistë për “Syri TV”.

Presidentja Osmani tha se masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese nuk paragjykon vlerësimin përfundimtar të kushtetutshmërisë së dekretit të saj.

“Tani kanë kohë partitë politike për shkak të masës së përkohshme, por kjo nuk e paragjykon se cili do të jetë vlerësimi përfundimtar i kushtetutshmërisë. Partitë kanë kohë që të ulen e të dakordohen, megjithatë presim se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese. Kam besim të plotë që kam mbrojtur Kushtetutën e Kosovës, kam marrë parasysh analizat e shumë juristëve”- tha ajo.

Gjykata Kushtetuese më 09.03.2026 ka vendosur masë të përkohshme, duke ndaluar çdo veprim të presidentes së Republikës së Kosovës në lidhje me dekretin e saj të datës 06.03.2026 për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, si dhe ndalon çdo veprim të Kuvendit të Kosovës.

Ky vendim i Kushtetueses hyn në fuqi që sot, më 09.03.2026 dhe do të jetë në fuqi deri më 31.03.2026.

Në këtë vendim thuhet se kërkesa në Kushtetuese është parashtruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për të kontestuar “kushtetueshmërinë e e Dekretit [nr. 24/2026], të 06.03.2026, të Presidentes së Republikës së Kosovës për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë (X) të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika