LAJME

Kusari: Nuk ka krizë në furnizimin me derivate të naftës në Kosovë

Kusari: Nuk ka krizë në furnizimin me derivate të naftës në Kosovë
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Mars 2026, 18:58

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka asnjë krizë në furnizimin me derivate të naftës në Kosovë.

Sipas njoftimit të ministrisë, të dhënat e marra nga subjektet që merren me importin dhe tregtimin e derivateve tregojnë se stoqet në vend janë në nivel të rregullt dhe brenda suazave të zakonshme, njësoj si para zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

Po ashtu, është bërë e ditur se furnizimi në treg mbetet stabil dhe pa ndërprerje.

Ministrja Kusari u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos krijojnë panik dhe të mos bëjnë rezerva të panevojshme, duke theksuar se zhvillimet në tregjet ndërkombëtare nuk japin bazë për rritje të çmimeve në Kosovë.

“Institucionet do të vazhdojnë ta monitorojnë nga afër tregun për të garantuar stabilitet në furnizim dhe çmime të drejta për qytetarët dhe bizneset”, ka shkruar Kusari në Facebook.

Ajo ka shtuar gjithashtu se ministria po monitoron zbatimin e vendimit për marzhën e fitimit, ndërsa Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është i angazhuar në terren për të siguruar respektimin e këtij vendimi dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika